Vështroni për pak çaste natyrën. Shikoni bimët kur nxjerrin gjethe të reja dhe lulet tek lulëzojnë. Shihni zogjtë e vegjël teksa mësojnë të fluturojnë për herë të parë. Shihni sa entuziastë janë kotelet dhe qenushët e vegjël kur mësojnë dhe eksplorojnë gjëra të reja. Duke mësuar dhe duke u zhvilluar bota bëhet më e bukur dhe po ashtu edhe jeta juaj.

Mësoni nga cikli i rritjes së natyrës. Në jetën e bimëve dhe të kafshëve ka përtëritje dhe rritje të vazhdueshme. Jeta që nuk vazhdon procesin e përtëritjes herët a vonë do të shuhet. Vetë kuptimi i jetës lidhet me rritjen dhe zhvillimin. Unë ju jap mundësitë që të rriteni, të mësoni dhe të përtëriheni shpirtërisht; juve ju mbetet vetëm t’i kërkoni, t’i pranoni dhe të jetoni me to.

Mos u mjaftoni kurrë me ato që dini deri në atë pikë sa të mos kërkoni të dini më tepër. Ajo që keni mësuar në të shkuarën është vërtetë e rëndësishme, por jo gjithçka që ju duhet. Gjërat e vlefshme të së shkuarës duhet t’i ruani e t’i përdorni ende, ato që janë vjetëruar dhe janë të pavolitshme hidhini pas dhe shihni përpara për të reja.

Të mësuarit është një pjesë shumë e rëndësishme e shkollës së jetës. Në çdo fazë të jetës Unë ju mësoj diçka të re dhe sapo keni mësuar gjithçka që ju kam treguar në atë fazë, ju kaloj në fazën tjetër. E kështu ju vazhdoni ciklin e të mësuarit, derisa të kaloni nga kjo jetë te tjetra. 1

  1. Shih Mateu 25:23