Në Bibël ka katër libra të përkushtuar historisë së jetës së Jezusit; ata përmbledhin mësimet, mrekullitë, veprimet e Tij, e kështu me radhë. Tregimet e Markut dhe Gjonit nisin kur Jezusi ishte 30 vjeç, në fillim të shërbesës së Tij publike. Mateu dhe Luka rrëfejnë historinë e lindjes së Jezusit, megjithëse secili jep detaje të ndryshme; prandaj, nëse dëshiron të kesh të gjithë panoramën e Krishtlindjes së parë, të rekomandoj t’i lexosh të dy.

Ajo që më duket interesante është se nga momenti i lindjes dhe fëmijërisë së hershme të Jezusit, me përjashtim të një episodi të vogël kur ishte 12 vjeç, nuk ka asnjë të dhënë për vitet e Tij të para. Është befasuese të mendosh që Jezusi ishte mishërimi i Zotit në formë njerëzore, e megjithatë 30 vitet e para—gati 90% e kohës së Tij në tokë—i kaloi i panjohur dhe i pavërejtur!

Çfarë po bënte Jezusi në atë kohë? Pse nuk zbriti thjesht në tokë në një shkëlqim drite, si i rritur, gati për të nisur shërbesën e Tij? Pse duhej të lindte një foshnjë dhe të jetonte një jetë që, me shumë gjasa, ishte krejt normale?

Jeta e Jezusit përpara shërbesës së Tij ishte aq e zakonshme, saqë as familja e Tij, as fqinjtë apo qyteti nuk kishin asnjë tregues se kush ishte Ai në të vërtetë. Duke folur për Jezusin, Mateu 13:54–56 thotë:
“Kur erdhi në vendlindjen e vet, i mësonte ata në sinagogën e tyre, aq sa ata çuditeshin dhe thoshin: ‘Nga i erdhi këtij gjithë kjo mençuri dhe këto vepra të fuqishme? A nuk është ky i biri i marangozit? A nuk quhet nëna e tij Mari? A nuk janë vëllezërit e tij Jakobi, Jozefi, Simoni dhe Juda? Edhe motrat e tij, a nuk i kemi këtu mes nesh? Nga i erdhën këtij gjithë këto?’”

Besoj se përgjigjja për pse Jezusi erdhi në tokë si foshnjë gjendet në Hebrenjve 4:15. Duke folur për Jezusin si ndërmjetësin tonë, aty thuhet:
“Jezusi i kupton të gjitha dobësitë tona, sepse ai u tundua në çdo mënyrë si ne” (CEV). Ai kaloi 30 vjet duke jetuar ashtu si ne, që të mund të përjetonte çdo gjë që do të thotë të jesh njeri: gjithë dhimbjen, gëzimin, dashurinë, lumturinë, zhgënjimin dhe hutimin.

Dhe më tej vargu vazhdon: “Por ai nuk mëkatoi!” Kjo është dallimi. Jezusi është i përsosur, ne jo; e megjithatë, Ai na kupton. Ai lidhet me ne dhe na do pavarësisht gjithçkaje. Kjo është arsyeja pse lindja e Jezusit është kaq e çmuar dhe e rëndësishme, dhe pse Krishtlindja është një festë gëzimi.