A të kanë ftuar ndonjëherë në një aktivitet ku nuk kishe qenë më parë dhe ku ndiheshe paksa në ankth? Ndoshta, në një situatë të tillë, i ke thënë shokut ose shoqes tënde më të ngushtë: “Nëse shkon ti, do të shkoj edhe unë. Por nëse nuk shkon ti, as unë nuk do të shkoj.”
Kjo është pikërisht ajo që Moisiu i tha “Mikut” të tij, Zotit, kur ai dhe izraelitët ishin rrugës për në Tokën e Premtuar. Gjatë udhëtimit kishin pasur mjaft rebelime dhe Zoti i tha Moisiut se do të dërgonte një engjëll përpara tyre për t’u treguar rrugën, por se Ai Vetë nuk do të shkonte me ta. Moisiu përsëriti vendosmërinë e tij për të kërkuar rrugët e Zotit dhe Zoti i premtoi: “Prania ime do të shkojë me ty dhe do të të jap pushim.” Moisiu u përgjigj: “Nëse prania jote nuk do të vijë me ne, mos na ço që këtej.” Ai nuk donte të shkonte askund pa Zotin! (Për të lexuar të gjithë historinë, shih Eksodi 33.)
Çfarë i dallonte hebrenjtë nga popujt e tjerë të botës së asaj kohe? Ata ecnin me Zotin. Dhe edhe sot, Zoti qëndron i palëkundur në premtimin që u ka bërë ndjekësve të Tij: “Nuk do të të lë kurrë dhe nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Ai ka thënë: “Do të banoj mes tyre dhe do të eci mes tyre; do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im” (2 Korintasve 6:16).
Zoti ka premtuar të ecë me ty çdo ditë. Jo vetëm kaq, Ai banon në zemrën e atyre që ndjekin Krishtin dhe ka bërë vendbanimin e Tij në shpirtin tënd (Gjoni 14:23). Çfarë ilaçi më të mirë për vetminë mund të ketë se kaq! Ai do të qëndrojë pranë teje si në kohë të mira, ashtu edhe në kohë të vështira. Mund t’i tregosh Atij të gjitha dëshirat dhe ëndrrat e fshehta të zemrës sate, me sigurinë se Ai do t’i kuptojë dëshirat më të thella të zemrës sate.
Në numrin e këtij muaji shohim se miqësitë mund të forcohen kur jemi të gatshëm të dalim nga bota jonë private dhe t’u kushtojmë vëmendje nevojave të të tjerëve. Gjithashtu mësojmë se Jezusi dëshiron të jetë Miku ynë më i mirë, siç tregohet qartë në artikullin kryesor, “Kurrë vetëm”, në faqet 4–6. Artikujt e këtij numri janë përzgjedhur për të na ndihmuar të forcojmë marrëdhënien tonë me Zotin, si edhe për të na nxitur t’u shtrijmë dorën të tjerëve. Në këtë mënyrë, ndërsa bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë botën një vend më të mirë, lehtësojmë edhe vetminë tonë. Kjo është vërtet një situatë ku fitojnë të gjithë.
Urojmë që numri i këtij muaji të jetë një bekim për ty!
