Dhjetori 2020 ishte Krishtlindja ime e parë pa bashkëshortin tim. Ai ishte ndarë nga jeta pesë muaj më parë, dhe gjithçka kishte ndodhur shpejt. Kishte ende shumë projekte që donte të realizonte. Një prej tyre do të kishte qenë me siguri një shfaqje e re për Krishtlindje. Ajo ishte pasioni i tij.

E kuptoja menjëherë kur i vinte ai shkëlqimi i frymëzimit të Krishtlindjes, shpesh që herët gjatë vitit. Aty pranë nisnin dhe përgatitjet: punonte deri natën vonë duke shkruar skenarin, qepur kostumet, përgatitur skenografinë, regjistruar muzikën dhe u kujdes për dhjetëra detaje të vogla që duhen për të ngritur një shfaqje.

Nëntori ishte gjithmonë muaji i provave, dhe në dhjetor nisnin shfaqjet, duke përfunduar rreth 50 çdo sezon! Pas këtij maratoni, të gjithë ishim të rraskapitur, por të lumtur dhe të plotësuar. Ne sillnim frymën e Krishtlindjes tek shumë fëmijë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara. Ajo ishte pjesa më e bukur e festës sonë.

Krishtlindja 2020 nuk ishte vetëm e para pa bashkëshortin tim dhe shfaqjet e tij, por edhe e para që u gjendëm të mbyllur për shkak të pandemisë. Në nëntor, unë dhe dy bashkëpunëtore u ulëm të diskutonim këtë Krishtlindje të pazakontë, bosh.

Çfarë mund të bënim? Çfarë do të kishte bërë ai? Një gjë ishte e sigurt: ai do të kishte bërë diçka!

Më në fund, kuptuam se kishim telefonat dhe internetin. Mund të ndanim shpirtin e Krishtlindjes diku, sado pak. Në fund të fundit, shumica e miqve tanë ishin në të njëjtën situatë; në fakt, shumica e botës ishte!

Kështu që ngritëm skenën tonë të Krishtlindjes në dhomën e ndenjjes dhe improvizuam një shfaqje të thjeshtë, krejt të përkorë. Veç disa këngë dhe urime të përzemërta. Na dukej e çuditshme të bënim një shfaqje kaq të thjeshtë, por aq mundësi kishim. Kur e pamë regjistrimin (në tre gjuhë, ama!), nuk doli aspak keq!

E dërguam nëpër botë, qindra miqve dhe të afërmve. E dërguam edhe në institucionet pranë nesh, ku kishim performuar për vite me radhë. Ata mundën të merrnin të paktën një pjesë të vogël të nesh—dhe mbi të gjitha, shpirtin e Krishtlindjes. Përmes atij video të vogël, kaluam shumë kufij fizikë, dhe përgjigjja që morëm ishte e jashtëzakonshme.

Ditën e Krishtlindjes ftuam një nënë të vetme me djalin e saj për drekë. Nuk lejohej të mblidheshim më shumë se një numër i caktuar, ndaj ai tavolinë me pesë njerëz na u duk i çmuar!

Vërtet, ajo ishte Krishtlindja e gjërave të vogla.