Autori i librit të Predikuesit shkroi këto fjalë të urta, që kanë mbetur të vlefshme ndër breza: “Për çdo gjë ka një stinë dhe një kohë për çdo çështje nën qiell” (Predikuesi 3:1). Gjatë jetës sonë, secili prej nesh përjeton stinë të ndryshme, kohë begatie dhe kohë nevoje, kohë kur jeta jonë është plot dhe “kupa jonë derdhet” (Psalmi 23:5), por edhe kohë të thata, kur hapësirat që dikur ishin të mbushura mbeten bosh. Shpesh pikërisht në këto periudha mësojmë të jemi të kënaqur në çfarëdo gjendjeje që ndodhemi, nëpërmjet Jezusit që na jep forcë (Filipianëve 4:11–13).
Sprovat, vështirësitë dhe humbjet që përjetojmë sjellin rritje shpirtërore dhe bekime në jetën tonë, ndërsa vendosim besimin te Zoti dhe i lejojmë Frymës së Shenjtë të veprojë në ne. Sigurisht, është shumë më e lehtë të jemi të kënaqur dhe t’i besojmë Zotit kur gjërat shkojnë mirë, kur jemi të rrethuar nga njerëzit tanë të dashur dhe miqtë, kur gëzojmë shëndet të mirë dhe nuk na mungon asgjë. Por kur gjërat nuk shkojnë mirë, mësojmë të mbështetemi te Zoti dhe zbulojmë gëzimin e Tij edhe në rrethana të vështira (Nehemia 8:10).
Jeta në kohët që po jetojmë paraqet disa rrethana dhe sfida të veçanta, të cilat bota nuk i ka përjetuar më parë. Ardhja e teknologjisë moderne ka lehtësuar komunikimin me të tjerët, por njëkohësisht ka sjellë edhe humbjen e ndjenjës së bashkësisë dhe të takimeve ballë për ballë. Zëvendësimi, në shumë raste, i vendeve tradicionale të punës me hapësira virtuale, si edhe kalimi i disa aspekteve të arsimit në mjedise online, ka sjellë më pak mundësi për të krijuar miqësi. Si pasojë, shumë organizata shëndetësore kanë paralajmëruar për një “epidemi vetmie” në botën e sotme.
Si të krishterë, nuk jemi të imunizuar ndaj sfidave të vetmisë dhe izolimit. Mund të gjendemi në një periudhë të jetës kur, për arsye të ndryshme, kemi më pak lidhje me njerëzit e tjerë, qoftë për shkak të problemeve shëndetësore, humbjes së një njeriu të dashur, daljes në pension apo kufizimeve në lëvizje që vijnë me moshën. Në periudha të tilla mund të jetë e vështirë të gjejmë kuptim dhe qëllim në jetën e përditshme, gjë që mund të sjellë ndjenja dëshpërimi dhe depresioni.
Ne nuk u krijuam për ta jetuar jetën vetëm. Që në fillim të Biblës shohim se Zoti na krijoi për të jetuar në bashkësi me të tjerët (Zanafilla 1:27–28; 2:18). Marrëdhëniet tona me të tjerët, veçanërisht me të krishterët e tjerë, na japin kurajë dhe forcë, ndërtojnë besimin tonë dhe sjellin gëzim e frymëzim në jetën tonë. Marrëdhëniet me njerëzit, me familjen, miqtë, kolegët në punë, njerëzit në kishën ose bashkësinë tonë, si edhe me komunitetin apo fqinjësinë ku jetojmë, mund t’i japin formë ritmit të jetës sonë të përditshme dhe t’u japin kuptim edhe detyrave më të zakonshme. Kur kjo strukturë e bashkësisë zhduket ose bëhet e paarritshme, këto humbje mund të ndikojnë rëndë në mirëqenien tonë emocionale dhe shpirtërore.
Kur po përjetojmë një periudhë vetmie, është e rëndësishme t’u afrohemi bashkëbesimtarëve tanë dhe t’u kërkojmë lutje e mbështetje. Kur u tregojmë të tjerëve për sfidat me të cilat po përballemi, hapim derën që ata të na ofrojnë ngushëllim, lutje dhe përkrahje. Ngushëllimi që marrim nga Zoti dhe nga besimtarët e tjerë, nga ana e tij, na pajis që t’u japim mbështetje të tjerëve. “Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të tjerët. Kur ata kalojnë vështirësi, ne do të jemi në gjendje t’u japim të njëjtin ngushëllim që Zoti na ka dhënë neve” (2 Korintasve 1:4).
T’u afrohemi të tjerëve
Periudhat e vetmisë na ndihmojnë të bëhemi më të vetëdijshëm për atë që përjetojnë të tjerët, veçanërisht ata që ende nuk e njohin Zotin, dhe të jemi më të vëmendshëm ndaj kësaj në marrëdhëniet tona të përditshme me njerëzit. Shpesh nuk mund ta dimë se çfarë po përjeton një person, por Bibla na mëson ta shohim secilin me mirësi dhe dhembshuri. Kjo kërkon t’u kushtojmë vëmendje njerëzve dhe të shohim përtej asaj që duket në sipërfaqe.
Jemi thirrur t’u pasqyrojmë njerëzve që takojmë dashurinë dhe mëshirën e Krishtit dhe, kur është e mundur, të sjellim një ndryshim në jetën e tyre, edhe nëse kontakti ynë me ta është vetëm kalimtar. Fryma e Zotit mund të veprojë përmes marrëdhënieve tona me të tjerët, sado të shkurtra qofshin ato, për të dëshmuar për dashurinë dhe dhembshurinë e Tij (Kolosianëve 3:12). Mund të flasim fjalë besimi dhe shprese në jetën e dikujt, edhe në një takim të vetëm.
Veprat e thjeshta të mirësisë mund ta lehtësojnë vetminë e dikujt dhe t’i tregojnë se dikush kujdeset për të. Mund të habitemi nga ndikimi që mund të kenë edhe ndërveprimet më të vogla, jo vetëm duke u dhënë të tjerëve shpresë dhe ngushëllim, por edhe duke na sjellë neve një ndjenjë përmbushjeje dhe qëllimi. Marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë, edhe kur janë të shkurtra, mund ta pasurojnë jetën tonë dhe t’i ndihmojnë si ata të cilëve u shërbejmë, ashtu edhe ne vetë, të ndihemi të lidhur me të tjerët dhe më pak të izoluar.
Gjithmonë me ne
Marrëdhënia jonë me Zotin dhe me Fjalën e Tij është një spirancë për besimin tonë kur kalojmë një periudhë vetmie në jetën tonë. Ne nuk jemi kurrë vetëm! Pavarësisht nga rrethanat në të cilat ndodhemi, nuk jemi vetëm. Jezusi është vazhdimisht me ne, çdo sekondë të çdo dite. “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të epokës” (Mateu 28:20).
Mund t’i shfrytëzojmë periudhat e vetmisë për t’u rritur në marrëdhënien tonë me Zotin dhe për t’u bërë më të vetëdijshëm për praninë e Tij të vazhdueshme, ndërsa “praktikojmë praninë e Krishtit”, një shprehje që i atribuohet Vëllait Lorenc, një murg francez i shekullit XVII. Vëllai Lorenc punonte në kuzhinën e një manastiri, ku ditët i kalonte duke gatuar dhe pastruar. Ndërsa merrej me punët e tij të përditshme, vendosi të mbante një bisedë të vazhdueshme me Zotin. Ai besonte se prania e Zotit mund të përjetohej në çdo kohë dhe gjatë gjithë kohës.
Kur gjendesh në një periudhë vetmie, prania e vazhdueshme e Zotit do të të sjellë shpresë, do të të japë paqen e Tij, që tejkalon çdo kuptim, dhe do të ndihmojë të mbushë boshllëqet në zemrën tënde (Filipianëve 4:7). Ndërsa thellojmë vetëdijen tonë për praninë e Krishtit, do të gjejmë tek Ai ngushëllim, shoqëri dhe një ndjenjë përkatësie që nuk do të na zhgënjejë kurrë. “Ai ka thënë: “Nuk do të të lë kurrë dhe nuk do të të braktis”“ (Hebrenjve 13:5).
Në momente të tilla, mund të na duhet të ndryshojmë këndvështrimin dhe të bëjmë një përpjekje të vetëdijshme për të medituar mbi mirësinë e Zotit dhe besnikërinë e Tij gjatë gjithë jetës sonë. Kërkoji Zotit të vendosë në rregull mendimet e tua (Fjalët e Urta 16:3) dhe të të ndihmojë ta përqendrosh mendjen te gjërat që kanë vërtet rëndësi dhe që do të qëndrojnë, te “gjërat që janë lart, jo te gjërat që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2).
Është gjithashtu e rëndësishme të kërkojmë mënyra të reja për të krijuar lidhje dhe bashkësi me të tjerët, aq sa kemi mundësi, qoftë duke bërë punë vullnetare, duke marrë pjesë në një shërbesë të krishterë ose në një kishë, duke u bashkuar me komunitete online apo duke u afruar me fqinjët tanë. Zgjidh ta përdorësh kohën dhe energjinë tënde në mënyra pozitive, që nxisin shëndetin dhe paqen dhe që forcojnë besimin tënd. Mendo për mënyra se si mund të ndikosh në jetën e të tjerëve, edhe në gjëra të vogla, për shembull, duke dërguar një email, duke bërë një telefonatë, duke buzëqeshur ose duke thënë një fjalë inkurajuese.
Si të krishterë, jemi të bekuar me sigurinë se, pavarësisht nga periudhat e vështira që mund të kalojmë në jetë, na është dhënë dhurata e hirit të Zotit dhe premtimi i shpresës së përjetshme (1 Pjetrit 5:10). Jezusi është Bariu ynë i Mirë (Gjoni 10:11). Kur jemi të lodhur, mund të gjejmë prehje tek Ai dhe të marrim forcë e qëndrueshmëri të re. Ai është gjithmonë me ne.
Me siguri mirësia dhe dashuria jote do të më shoqërojnë gjatë gjithë ditëve të jetës sime dhe do të banoj në shtëpinë e Zotit përgjithmonë” (Psalmi 23:6).
Mund t’i besojmë këtij premtimi: mirësia dhe dashuria e Zotit nuk ndryshojnë dhe do të jenë me ne gjatë gjithë ditëve të jetës sonë. Dhe mund të presim me gëzim ditën kur do të jemi përgjithmonë me Zotin në qiell.
