Gjatë gjithë jetës sime, armiku më i madh i qetësisë shpirtërore ka qenë frika—frika nga e shkuara, nga e ardhmja, nga mendimi i të tjerëve për mua, nga refuzimi, nga zhgënjimi i njerëzve që dua, nga sëmundja. Për ta përballuar këtë prirje, e kam kthyer në zakon që në mëngjesin e parë të ditës të lutem dhe t’ia besoj të gjitha shqetësimet e mia Zotit. Është sikur t’i heq nga shpatullat e mia të gjitha barrët e rënda që mbaj dhe t’ia vendos ato mbi shpatullat e gjera të Jezusit. Pas kësaj ndihem më e lehtësuar dhe me një ritëm të ri në hapa, duke e mposhtur frikën me besim.

Një tjetër armik i lumturisë sime ka qenë krahasimi dhe xhelozia. Shpesh i them vetes: “Shiko sa bukur duket ai person. Shiko sa shumë ka arritur. Shiko makinën e re që ka blerë, që unë nuk mund ta përballoj…” dhe kështu me radhë. Për ta përmbysur këtë mendim, mbaj një ditar mirënjohjeje. Shënoj të paktën tre bekime që Zoti më ka dhënë ditët e fundit. Shpesh janë gjëra të vogla, si dielli që ndriçon apo cicërimat e zogjve.

Sot edhe shkenca po e vërteton efektin pozitiv që ka mirënjohja në mendjen tonë, ndërsa kompjuterët hartëzojnë trurin dhe tregojnë ndryshimet që ndodhin. Mirënjohja sjell shpresë dhe mendim pozitiv. Kur jam mirënjohëse, në vend që të krahasohem me të tjerët, e ngre sytë nga Zoti dhe kujtoj mirësinë dhe mëshirën e Tij ndaj meje.

Vjedhësi i tretë i lumturisë time ka qenë pakënaqësia dhe mllefi. Shpesh mendoj: “Shiko çfarë më thanë ose çfarë më bënë! Uroj t’u ndodhë diçka që të ndiejnë siç ndjeva unë… Oops, ndalo!” Të falësh dikë që të ka lënduar nuk është diçka që bëjmë për ata, por për të mbrojtur zemrën dhe ndjenjat tona, si dhe për të lënë derën hapur që ai person të pendohet dhe të rikthehet në bashkësi. Duke falur, ne kthehemi te burimi më i madh i gëzimit dhe kënaqësisë—dashuria. Sepse “Zoti është dashuri” (1 Gjonit 4:8), dhe marrëdhënien tonë me Të duhet ta mbrojmë e ta ushqejmë.

Kjo është receta ime për kënaqësinë: luftoj frikërat e mia me besim. E mbaj nën kontroll prirjen për t’u krahasuar duke besuar se unë dhe Zoti së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha. Dhe i kërkoj Jezusit të mbushë zemrën time me dashuri dhe me hirin për të falur të tjerët—gjë që sjell gëzim dhe kënaqësi të vërtetë!