Kam mësuar ta çmoj çdo dhuratë, të madhe apo të vogël, që më vjen nga Ai prej të cilit rrjedhin të gjitha bekimet. Liria për të gjetur identitetin tim në Jezusin dhe për të ditur se jam bir ose bijë e Mbretit, i zbeh të gjitha gjërat e tjera në krahasim me të.

Megjithatë, jeta vazhdon dhe ndonjëherë është e vështirë të përshkosh kthesat, ngjitjet dhe zbritjet e saj. Por e di se besimi te dashuria e Krijuesit tonë mund të na mbajë gjatë këtyre çasteve të errëta, së bashku me ngushëllimin që na japin miqtë dhe familja.

Më kujtohet një dhimbje e madhe që përjetova kur isha adoleshente, kur i dashuri im u nda nga unë. Ishim me një grup miqsh kur ai ma tha. Meqë nuk doja që ata të më shihnin duke qarë, shkova në një park të vogël aty pranë dhe, kur mbeta vetëm, qava.

Pastaj, pothuajse instinktivisht, fillova të këndoja këngë për dashurinë dhe shpresën, për të ngushëlluar veten. M’u kujtuan edhe ngjarje të tjera të trishtuara të jetës sime, siç ishte vdekja e një shoku të mirë në një aksident automobilistik. Pasi përsiata secilën prej këtyre kujtimeve, këndova nga një këngë dhe m’u duk sikur shpirti po më lahej nga meloditë. Shpejt, paqja mbushi zemrën time, dhimbja u zhduk dhe unë munda të kthehesha te miqtë e mi me një buzëqeshje.

Eric Clapton, këngëtari dhe kompozitori i famshëm, tregon në autobiografinë e tij se, pas vdekjes së djalit të tij katërvjeçar në një aksident, pati një periudhë në jetën e tij kur ndjeu aq shumë dhimbje dhe pikëllim, saqë kaloi një vit i tërhequr nga njerëzit, duke vajtuar humbjen e tij dhe duke luajtur në kitarë. Më në fund, vendosi se, për të nderuar kujtimin e të birit, do të shkruante një këngë ngushëlluese. Kështu kompozoi “Tears in Heaven” (“Lotët në qiell”), një këngë që në atë kohë u ngjit në vendin e parë të klasifikimeve muzikore dhe që ende sot u sjell ngushëllim shumë njerëzve në çastet e tyre të dhimbjes së thellë.

Të mendojmë për qiellin, vendin ku Zoti do të thajë çdo lot nga sytë tanë, është një ilaç i shkëlqyer kundër trishtimit. Edhe këtu në tokë, një këngë, një buzëqeshje, një përqafim, një fjalë ngushëllimi dhe një lutje e sinqertë mund të na sjellin neve dhe të tjerëve një prekje të qiellit dhe të na kujtojnë Zotin e dashurisë, i cili një ditë do t’i ndreqë të gjitha gjërat!