Shpesh më ka bërë përshtypje ky varg nga Shkrimi, ku, pasi flet për predikimin e ungjillit dhe shpëtimin e besimtarëve, Bibla thotë: “Edhe engjëjt dëshirojnë të shohin nga afër këto gjëra” (1 Pjetrit 1:12). Çfarë gjërash njerëzore dëshirojnë engjëjt të kuptojnë më mirë? Në fund të fundit, engjëjt janë një rend krijese më i lartë se njerëzimi (Hebrenjve 2:9) dhe janë më të mençur e më të fuqishëm se njerëzit (2 Pjetrit 2:11).
Një nga aspektet më të rëndësishme të përvojës njerëzore, të cilin engjëjt nuk mund ta përjetojnë kurrë, është gëzimi i shpëtimit, të çlirohesh nga robëria e mëkatit dhe të kalosh nga errësira në dritën e lavdishme (1 Pjetrit 2:9). Kur Adami dhe Eva u rebeluan në kopshtin e Edenit, njerëzimi ra nga hiri dhe nga bashkësia e ngushtë me Zotin. Që atëherë, kemi qenë të robëruar nga mëkati (Gjoni 8:34). Jezusi dha jetën e Tij për ne në kryqin e Kalvarit, që të na shpengonte nga fuqia e mëkatit dhe të na çlironte (Gjoni 8:36). Zoti nuk e dërgoi Birin e Tij të vdiste për engjëjt, por për ne. Siç thotë kënga:
“Shenjt, shenjt”, është ajo që këndojnë engjëjt,
dhe unë shpresoj t’i ndihmoj t’i mbushin oborret e Qiellit me jehonë;
por kur unë këndoj historinë e shpengimit, ata do t’i palosin krahët,
sepse engjëjt nuk e kanë përjetuar kurrë gëzimin që sjell shpëtimi ynë.
—Johnson Oatman Jr. (1856–1922)
Një tjetër privilegj që i është dhënë njerëzimit është të ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shohim (2 Korintasve 5:7). Engjëjt jetojnë në praninë e Zotit dhe në një vend plot me dritë e madhështi, ndaj për ta është e natyrshme ta lavdërojnë dhe ta adhurojnë Atë. Ne besojmë në Zotin dhe kemi besim tek Ai, edhe pse nuk jemi në gjendje ta përjetojmë Atë me shqisat tona fizike (1 Pjetrit 1:8).
Disa nga përvojat dhe sprovat tona tokësore mund të na e thyejnë zemrën në mënyra që engjëjt vetëm mund t’i vëzhgojnë. Por Zoti premton se gjithçka që kalojmë në jetën tonë, në fund do të bashkëveprojë për të mirën tonë, sepse ne e duam Atë (Romakëve 8:28).
Jezu Krishti, Biri i Zotit, i dha njerëzimit privilegjin më të madh kur mori formën e një njeriu dhe u bë njëri prej nesh. Ai e bëri këtë që të mund të na kuptonte më mirë dhe të bëhej Ndërmjetësi ynë përpara Atit (Hebrenjve 2:16–17). Tani Ai është lartësuar në të djathtën e Zotit dhe ua jep falas hirin e Tij të gjithë atyre që i drejtohen Atij (Romakëve 10:12).
