Shtatë vjet më parë, toka ku është ndërtuar shtëpia jonë ishte thjesht një fushë e sheshtë, me gurë e me barishte të egra. Unë ëndërroja një oborr me një pemë të madhe në mes, ndaj mbollëm një pemë me rritje të shpejtë që çelte lule. Pastaj erdhi një ngricë, më e forta që kishte rënë ndonjëherë në zonën tonë. Isha e bindur se pema jonë nuk do ta përballonte dot.
Frika m’u duk e justifikuar kur, në mes të pranverës, të gjitha pemët përreth po njomeshin në të gjelbër dhe po çelnin, ndërsa pema jonë ishte ende e vogël dhe krejt e zhveshur. Kaluan javë dhe filluam të mendonim nëse duhej ta hiqnim fare. Vendosëm t’i jepnim edhe pak kohë. Një ditë, në fund fare të pranverës, pamë gjethet e para… dhe pastaj, lulet e buta rozë në pemën tonë të vogël.
Vitin pasues pati sërish ngricë. Edhe një herë mendova se pema kishte marrë fund. Nuk kishte asnjë syth, ndërsa pemët e tjera shpërthenin në ngjyra. Por, në fund të pranverës, ajo çeli përsëri! Çdo vit, në kohën e vet, nxjerr gjethe, pastaj lule, dhe është kaq e bukur!
Kjo pemë i flet shpirtit tim. Me ritmin e saj të ngadaltë, më kujton se nuk funksionon sipas kohës sime. Me qëndrueshmërinë e saj më siguron se do të çelë çdo vit. Jo për ndonjë meritë timen, por thjesht sepse ajo është një pemë që çel lule.
Edhe në jetën time ka gjëra për të cilat po pres: me fëmijët, me martesën, me punën. Degët e mia duken bosh, ndërsa pemët e të tjerëve janë plot gjelbërim e lulëzim. Çfarë duhet të bëj? Çuditërisht, shpesh përgjigjja është: asgjë. Nuk kam nevojë të bëj gjë tjetër veçse të pres dhe të besoj se, ashtu si nuk mund ta ngut pemën time, nuk mund të ngut as jetën. Mund të mësoj të jem në paqe në këtë stinë, sepse lulet janë të premtuara.
“I lumtur është ai […] që gjen kënaqësi në ligjin e Zotit dhe që mbi ligjin e Tij mediton ditë e natë. Ai është si një pemë e mbjellë pranë rrjedhave të ujit, që jep fryt në kohën e vet dhe gjethet nuk i vyshken; dhe gjithçka që bën, i del mbarë.” (Psalm 1,1–3 NIV)
Ndërsa po shkruaj këtë, në pemën tonë ka vetëm një tufë të vetme lulesh. Të gjitha pemët e tjera kanë muaj që çelin! Nuk kam asnjë ide pse pema jonë ndjek një ritëm tjetër—përveçse, ndoshta, për të më kujtuar këtë mësim: qëndro i palëkundur atje ku të ka mbjellë Zoti, lejoje tokën, diellin dhe shiun që Ai sjell në jetën tënde të bëjnë punën e tyre, dhe lulet do të vijnë.
