Pyetje:

Unë dhe gruaja ime kemi 11 vite të martuar dhe megjithëse ende e duam njeri-tjetrin, marrëdhënia jonë është zbehur. Çfarë mund të bëjmë për të rikthyer magjinë në martesën tonë?

Përgjigje:

Kur shumica e çifteve thonë betimet “në të mirë dhe në të keqe” në magjinë plot yje të momentit, ata imagjinojnë vetëm mirë dhe më mirë jetën e tyre së bashku. Prindërit e rinj hedhin një vështrim të gjatë dhe të thellë në sytë e fëmijës së tyre dhe zotohen të mos e lëndojnë ose zhgënjejnë kurrë atë. Fëmijët premtojnë të jenë miqtë e tyre më të mirë përgjithmonë. Mjekët, infermierët, mësuesit, punonjësit socialë, vullnetarët dhe të tjerët ia kushtojnë jetën e tyre shërbimit të të tjerëve. Është dashuria, super ngjitësi i familjeve, miqve dhe çdo gjë tjetër të mirë, që frymëzon një angazhim të tillë.

Atëherë, pse grinden çiftet e martuara? Pse prindërit qortojnë, nënvlerësojnë dhe nuk kanë durim? Pse ndahen miqtë? Pse venitet frymëzimi për t’u shërbyer përulësisht të tjerëve? Si ta ringjallim dashurinë që na frymëzoi të bëjmë betimet tona?

Teksa koha kalon, familjarizohemi me njerëzit me të cilët jemi më të afërt saqë ndalojmë së i vlerësuari dhe nuk i trajtojmë më ashtu si duhet. Përditshmëria ka pjesën e vet të fajit dhe risia e ndritshme e marrëdhënieve që dikur çmonim fillon të zbehet. Duke qenë afër dhe duke pasur një ndërveprim personal, të metat dhe dobësitë e karakterit të gjithkujt fillojnë të bien në sy. Rutina kthehet në zakon. Bekimet tona dikur të vlerësuara fillojnë të na peshojnë.

Kur kjo ndodh, vjen koha për ta ndryshuar tendencën. Për këtë, do të nevojitet një përpjekje e vetëdijshme dhe nuk do të jetë e lehtë, veçanërisht nëse problemi ca kohë që vazhdon, por mund të realizohet. Së pari, merr pak kohë për t’i kujtuar vetes të gjitha gjërat që të tërhoqën në fillim te personi tjetër.  Përqendrohuni në ato cilësi të mira dhe pozitive. Atëherë, vër veten në pozicionin e tyre dhe pyet veten, Pse mendoni se bashkëshorti yt apo bashkëshortja jote është tërhequr fillimisht nga ti? Mënyra më e shpejtë dhe më e sigurt për të kthyer shkëlqimin në çdo marrëdhënie të krisur, është të kujtosh ç’të bëri fillimisht t’i hyje kësaj marrëdhënie dashurie. Angazhohu të jesh personi që ishe në fillim, vlerëso cilësitë e mira të partnerit tënd dhe pala tjetër padyshim do të të ndjekë.

Dhe mos harro, Zoti është i specializuar në fillimet e reja. “Nëse dikush është në Krishtin,” na thotë Bibla, “ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.”1 Ky është një premtim mbi shpëtimin, por është gjithashtu një premtim për jetën e përditshme. Zoti do të rigjallërojë dhe rinovojë çdo marrëdhënie nëse i kërkojmë Atij që së pari të punojë brenda zemrave dhe jetës sonë.

  1. 2 e Korintasve 5:17