Tregohet një histori për dy vëllezër që u regjistruan në ushtri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u caktuan në të njëjtën njësi. Ata shpejt u dërguan në frontin e parë. Në frontin e Luftës së Parë Botërore, secila anë gërmonte një rrjet me llogore përgjatë vijës së përparme të territorit të tyre, pastaj rrethonin llogoret e palës tjetër. Herë pas here, njëra palë ose tjetra fillonte një ofensivë për të provuar të shkelnin linjat e armikut. Gjatë një sulmi të tillë, vëllai i vogël u plagos për vdekje dhe ishte në tokën e askujt, në atë zonë të ekspozuar, vdekjeprurëse midis forcave kundërshtare.

Vëllai i madh, ende i sigurt në llogore, e pa të ndodhte dhe e dinte instinktivisht se çfarë duhet të bënte. Ai hapi rrugën e tij nëpër llogore, rreth ushtarëve të tjerë, derisa arrite te komandanti i tij. “Më duhet ta marr!” thirri vëllai i madh përmbi poteren e betejës.

“Është e pamundur!” bërtiti komandanti i tij teksa e kapi. “Do të vritesh në minutën që do të nxjerrësh kokën nga kjo llogore!”

Por vëllai i madh lirua nga duart e oficerit, doli nga llogorja dhe u fut në tokën e askujt për të gjetur vëllanë e tij, mes breshërive të plumbave që qëllonte armiku.

Kur arriti, vëllai i vogël arriti të nxirrte një pëshpërimë. “E dija që do të vije!” Ndërkohë, vëllai i madh ishte plagosur rëndë. Ai mezi arrita ta tërhiqte vëllanë e tij drejt frontit të tyre dhe të dy ranë në llogore, duke vdekur.

“Pse e bëre?” i foli komandanti. “Të thashë që do të vriteshe edhe ti!”

“Duhet ta bëja,” u përgjigj vëllai i madh me një buzëqeshje. “Ai e priste ta bëja. S’mund ta zhgënjeja.”

Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.—Jezusi, Gjoni 15:13 NLT

Kur dikush e pyeti Jezusin se cili ishte urdhërimi më i madh i Zotit, Ai u përgjigj, “‘”Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.’” 1

Për sa i përket Zotit, dashuria është virtyt suprem. Dashuria është gjëja më e rëndësishme. Zoti nuk na kërkon të jemi të përsosur; Ai nuk na kërkon të pagabueshëm; Ai nuk na kërkon të bëjmë gjëra të mëdha që t’i dëgjojë bota. Ai thjesht na kërkon të duam të tjerët.

—Shannon Shayler

  1. Mateu 22:37–39