Ata nuk do të kthehen!

Më kujtohet si u ndjeva kur më në fund kuptova se çfarë po ndodhte. E vetmuar. E frikësuar. E pasigurt. Kisha punuar për vite të tëra në një projekt social në një shtet të varfër në Azinë Jugore. Kisha kontribuar shumë me punën time, por ajo nuk varej vetëm nga unë; isha thjesht një hallkë e gjithë atij zinxhiri dhe çdo gjë shkonte mirë. Ndihesha e sigurt duke duke u mbështetur tek eksperienca e të tjerëve, pa përmendur mbështetjen financiare nga ana e tyre. Nuk kisha arsye për t’u shqetësuar.

Pastaj, gjatë verës çdo gjë ndryshoi. Papritur planet e kolegëve të mi ndryshuan si rezultat i problemeve shëndetësore dhe arsimimit të fëmijëve të tyre. Ata u shpërngulën dhe projektet mbetën në dorën time. Çështja ishte, nëse do të isha në gjëndje t’i vazhdoja ose jo.

E dija se duhej ta vlerësoja mirë situatën dhe të reflektoja mbi të ardhmen e punës që kishim bërë deri në ato momente. Muajt që pasuan ishin të sigurt; më kishin lënë burime të mjaftueshme për aq kohë. Po më pas? Nuk e kisha idenë.

Afërsisht në këtë kohë, u sëmura si kurrë më parë. Për thuajse një muaj u dergja në shtrat, e paaftë edhe për të ngrënë. Në një fare mënyre, gjëndja ime e vështirë fizike e shkaktuar nga sëmundja, nuk më la t’i dorëzohesha shqetësimeve të pashpresa siç do kisha vepruar në kushte normale. Isha shumë e sëmurë për t’iu dorëzuar frikës. Kjo ishte gjithçka që mund të bëja për t’i mbijetuar asaj situate çdo ditë e natë; nuk kisha më forcë për t’u shqetësuar. Dhe ndërsa isha e paaftë fizikisht, Zoti qëndroi i fortë dhe punoi për mua.

Me kalimin e kohës nuk pati ndryshime thelbësore, por kishte gjithmonë mjaftueshëm. Donatorë për të ndihmuar me projektet. Një punë atëherë kur më nevojitej. Kur mbyllej njëra derë, hapej një tjetër. E kisha çmuar gjithmonë sigurinë, por në këto momente të reja ndryshimi dhe pavarësie, zbulova një tjetër lloj sigurie dhe lumturie. Në fund mora një vendim të rëndësishëm: Për aq kohë sa do mundja, për aq kohë sa Zoti do të më ndihmonte, do t’a vazhdoja këtë projekt.

Jeta është plot sfida dhe e paparashikueshme, por jam më e lumtur se kurrë. Besoj se Zoti mund t’i rregullojë gjërat edhe kur ne s’mund të bëjmë asgjë për ta ndihmuar Atë. Si të mos e besoj këtë gjë pas asaj që Ai bëri për mua?