Eca ngadalë në klasën ku zhvillohej mësimi i Japonishtes së Folur dhe u ula e lodhur në bankën time të zakonshme. Në semestrin e fundit të shkollës, lodhja dhe mbingarkesa mendore po bënin të vetën. Teksa diplomimi po afrohej, po filloja të vrisja mendjen për nisjen e kërkimit të punës, sapo të përfundoja pjesën e fundit të studimeve. Dhe nga të gjitha lëndët e mia, kjo ishte më e keqja. Tmerrohesha nga tre orët e mundimit për të kapur ritmin e bisedës në një gjuhë të huaj.

Pasi u humba në një dialog me partnerin tim, për habinë time, dëgjova vajzën që rrinte pas meje duke lexuar dialogun krejt e vetme. Poli ishte ulur pas meje gjatë gjithë semestrit, por disi nuk kishim biseduar kurrë. Pashë mbrapa dhe vura re që partneri i Polit mungonte. Ndërsa dëgjoja Polin duke u munduar mes një dialogu të gjatë, më kapën të dridhurat me mendimin se mund të isha në vendin e saj.

“Si ka mundësi që një person ta këndojë vetë një duet?” – tha mësuesi me shaka. “Poli, gjej një partner për të thënë dialogun tjetër me ty.”

Unë i pëshpërita, “Dëshiron të lexosh dialogun me mua?” dhe sytë e Polit shndritën. “Po, faleminderit.” – pëshpëriti ajo nga mbrapa. E lexuam së bashku dialogun e radhës, dhe Poli më falënderoi përsëri më pas. Teksa i kushtoja vëmendje shpjegimeve të mësuesit për modelet joformale të të folurit në japonisht, më doli nga mendja biseda ime me Polin.

Kur më në fund ra zilja, unë po hiqja librin dhe shënimet e mia, kur Poli u përkul dhe më vuri një letër të verdhë ngjitëse në dorën time. Kur dola nga klasa, e hapa shënimin dhe lexova:

“E dashur Elsa, faleminderit që e lexove dialogun me mua sot! Të uroj diplomim të mbarë! Ke për t’ia dalë mbanë.”

Nuk kisha folur thuajse fare me këtë shoqe klase, por në përgjigje të gjestit tim shumë të vogël, ajo mori kohën për të më inkurajuar me këtë shënim. Ndjeva se Zoti donte të më tregonte se nuk isha vetëm dhe se Ai po më kërkonte edhe në detajet e vogla të jetës sime.

Shpresoj që sa herë të marr mirësi, të gjej kohë të tregoj vlerësim, ashtu si bëri Poli. Shpresoj se edhe unë të jem në vëzhgim të momenteve të përditshme kur mund të jem një kanal i dashurisë së Zotit për të tjerët.