Sot, dola për shëtitje me fëmijët në zonën përreth fshatit ku jetojmë, një zonë me ferma, shtigje për të ecur dhe një pyll të vogël. Moti ishte i mrekullueshëm ndaj ishte një mundësi e mirë për fëmijët për të marrë pak ajër të pastër dhe për të bërë gjimnastikë, ndërsa vraponin përreth duke kërkuar krijesat e vogla që janë me bollëk në pranverë dhe verë.

Ishte një pushim i këndshëm edhe për mua. Jashtë në ato shtigje nëpër fshat nuk ka kompjutera, nuk ka stres pune, nuk ka punë shtëpie, nuk ka takime, nuk ka rrëmujë për t’u pastruar dhe s’ka një mori gjërash të tjera që na mbajnë të zënë në pjesën më të madhe të ditës.

Koha duket sikur ndalet, ndërkohë që je jashtë në natyrëtë paktën deri në momentin kur fëmijët fillojnë të thërrasin plot emocion “Nusepashka”, “Merimanga” ose “Kërmilli”! Por, edhe këto alarme nuk përbëjnë problem, sepse vetëm pak minuta në paqe zakonsiht më mjaftojnë për të qartësuar mendjen. Kur Jezusi tha se nëse nuk bëheni si fëmijë të vegjël, nuk do të mund të hyni në mbretërinë e Parajsës, 1 ndoshta Ai nuk po fliste vetëm për parajsën e ardhshme, por gjithashtu për paqen dhe atë pak parajsë që përjetojmë në zemrat tona këtu dhe tani, kur i vendosim shqetësimet mënjanë, qetësojmë mendjen dhe shpirtin, dhe fokusohemi tek zëri i Tij kur na flet përmes Krijimit.

Fëmijët duket sikur e bëjnë këtë gjë natyrshëm. Ata nuk shqetësohen për punën që duhet bërë apo faturat që duhen paguar; ata janë thjesht plot energji dhe të ekzaltuar për jetën, të lumtur që kanë një shok të madh, që kujdeset për ta dhe që i bën foto aktiviteteve të tyre. Sa më shumë paqe duhet të kemi ne, kur e dimë se kemi një Shok akoma më të Madh që kujdeset për ne; dhe jam i sigurt që edhe Ai është duke nxjerrë në foto fragmente nga jeta jonë.

  1. Shiko Mateu 18:3.