A keni dashur ndonjëherë të ndihmoni dikë apo dëshironi të bëni një ndryshim në botë, vetëm që qëllimet tuaja të mira të shkatërrohen nga mendimet se pse përpjekjet tuaja nuk do të funksiononin?

Një rast i tillë ndodhi verën e kaluar, kur unë dhe gruaja ime ndaluam të hanim në një restorant ushqimesh të shpejta që shërbente pulë të skuqur. Pasi bëmë porosinë, morëm tabakatë dhe u ulëm në një tavolinë në mes të mensës.

Te tavolina ngjitur ishin ulur dy burra të rinj në moshë, të cilët dukeshin qartë se ishin vëllezër. Vura re se ata po ndanin të njëjtin racion, që ishte më i liri dhe më i vogli në meny. Për më tepër, njëri prej tyre nuk dukej aspak mirë.

Më lindi mendimi: Bliji një racion tjetër. U çova për të shkuar te vendi ku jepej porosia kur një tjetër mendim më ndaloi: Si do t’ia çosh në tavolinë dhe do t’ua ofrosh?Me shumë gjasa, ata nuk do të pranojnë bamirësi nga një person tërësisht i panjohur dhe ti do të dukesh si idiot duke qëndruar aty me një kuti me pulë në dorë!

Menjëherë u ula në vend.

Pas disa minutave të gjata agonie, u përkula drejt gruas sime dhe me zë të ulët i shpjegova situatën. Ajo i pa vëllezërit dhe më pas, u kthye nga unë dhe më tha, “Nëse Zoti i vuri zemrës tënde si detyrë t’i qerasësh me një vakt, atëherë, duhet ta bësh!”

Inkurajimi i saj ishte pikërisht ajo çka kisha nevojë të dëgjoja, dhe shkova të porosisja ushqim tjetër për ta. Gjithsesi, nuk isha ende i sigurt si do të afrohesha në tavolinën e tyre për t’i dhënë ushqimin. Por problemi shumë shpejt u zgjidh.

Vëllai i vogël erdhi pranë meje te banaku për të kërkuar ketçapin. I kërkova atij të priste edhe një minutë, ndërkohë që kuzhinierët po përgatisnin një racion ushqimi për të, e cila ishte dhuratë nga ne.

Iu mbushën sytë me lot ndërkohë që na shpjegonte se vëllai i tij kishte një sëmundje terminale dhe se mjekët e kishin dërguar nga spitali në shtëpi, që të jetonte ditët e tij të fundit me familjen. “Vëllait tim i pëlqen shumë pula e skuqur, ndaj e solla këtu që ta shijonte. Por jam i papunë për momentin dhe nuk kam shumë para, ndaj, po e ndajmë së bashku të njëjtin racion. Shumë faleminderit!”

Më pas, ishte radha ime të derdhja lot, duke kuptuar se mund të kisha humbur rastin të merrja bekimet e këtyre dy vëllezërve. Shqetësimi im se nuk do ta pranonin dhuratën ishte plotësisht i pabazë. Dhe duke ndjekur shtysën e Zotit, i fala pak lumturi në situatën e tyre të vështirë.