“Kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.”1 Këto fjalë më erdhën në mendje, ndërsa laja enët e mëngjesit. A ishte e mundur kjo? A mund të jem i kënaqur kur nuk kam asgjë tjetër përveç ushqimit dhe rrobave? Apostulli Pal shkroi: “Jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam.” 2 Jo unë. Patjetër që ka pasur raste kur kam dashur të kem disa nga ekstrat, që kam parë të shijojnë të tjerët. Unë nuk kam qenë gjithmonë i kënaqur. Si mund të jem i kënaqur vetëm me ushqim dhe rroba? E pyeta veten teksa mbaroja larjen e enëve.

Sikur në përgjigje të pyetjes sime, ma tërhoqi vëmendjen mbesa ime, Kylie, e cila ishte shtatë muajshe në atë kohë, teksa luante në heshtje dhe e lumtur me një fetë mollë. Tani ajo dukej padyshim e kënaqur, imazhi i përsosur e paqes dhe qetësisë. Ç’zotëronte ajo? Një pelenë dhe një fetë mollë, por ajo ishte përsosmërish e lumtur.

E kisha përgjigjen time. Kylie nuk ishte e shqetësuar nëse do të kishte ushqim nesër, apo nëse do të mbetej pa pelena. Ajo kishte ushqimin e saj, kishte rrobat e saj dhe ishte plotësisht e kënaqur, duke i besuar nënës së saj që të kujdesej për të dhe t’i jepte asaj pikërisht atë që i duhej, kur ajo kishte nevojë për të.

Kuptova se dhe unë duhet të jem në të njëjtën mënyrë, e lumtur dhe e kënaqur me atë që Zoti më jep dhe duke i besuar Zotit se Ai do të kujdeset për mua dhe do të më japë gjërat për të cilat kam vërtet nevojë. Dhe tani jam vërtet. Unë nuk kam vetëm ushqim, veshje dhe komoditete të tjera materiale, por kam gjëra që shumë miliona njerëz në botë nuk i kanë. Unë kam Jezusin dhe dhuratën e Tij të shpëtimit. Kam gruan, familjen, shëndetin dhe miqtë e mi. Unë me të vërtetë kam gjithçka që më duhet. Unë jam me të vërtetë i kënaqur!

  1. 1 Timoteut 6:8
  2. Filipianëve 4:11