Kohët e fundit organizuam shfaqjen tonë të parë me kukulla për fëmijët që vizitojnë baballarët e tyre në burgun e vuajtjes së dënimit në qytetin e Meksikës, burgu për të burgosurit që kanë humbur të gjitha apelet, madje edhe i është refuzuar kërkesa për të mos u transferuar në atë burg. Aty, ata nuk kanë asnjë mundësi tjetër, veçse të kryejnë dënimin e tyre. Ky vend gjithashtu strehon të burgosurit më të fortë që nuk mund të kontrollohen në burgje të tjera. Dënimi mesatar është 30 vite.  98% e popullsisë së burgut është dëshpërimisht e varfër. Mbi 50% nuk marrin asnjëherë vizita, çka do të thotë se nuk kanë mbështetje nga jashtë dhe kanë një urgjencë për të gjetur mënyra si të fitojnë para në mënyrë që të mbijetojnë (duke qenë se duhet të plotesojnë vetë të gjitha nevojat personale).

Pasi hyn, përballesh me grumbuj burrash të dobët, të gjithë të veshur me ngjyra blu të vjetra, të pista dhe të errëta, me fytyra të holla dhe me sy të zbrazët, të trishtuar dhe të dëshpëruar. Një erë e athët na rrethon dhe përhapet në ajër ngado shkojmë, një erë mbeturinash, kalbjeje dhe kanalesh të ujërave të zeza. Një erë ankthi dhe dëshpërimi. Unë jam e tronditur nga ndjenja e dëshpërimit përreth meje.

Brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, tezgat e vogla që shesin objekte artizanale krijojnë një varg në rrugicën kryesore, si dhe mensat e ushqimit dhe dyqanet e vogla, të gjitha të drejtuara nga të burgosurit. Vizitorët blejnë atje, kur vijnë. Shumë njerëz qendrojnë mbas mureve, të vetëm, me një shikim të zbrazët në fytyrë, duke e lënë jetën të shkojë nga: dënimi, trishtimi dhe depresioni.

Disa ofrojnë ndihmën e tyre për të mbajtur bagazhet tona, të bëjnë ndonjë gjë, të ndihen të dobishëm, të kenë ndjesinë e përkatësisë dhe të shpërblimit; shumë e bëjnë këtë me shpirtra të vrarë.

Të tjerë po shijojnë përvojën e ëmbël dhe njëkohësisht të hidhur e vizitave të fëmiljarëve.

Ndërtesat janë të vjetra, të rënuara dhe të pista; boja po bie; dhe pajisjet janë thuajse jashtë përdorimi. I gjithë universi i këtyre njerëzve është i lyer në hijet e pista të blusë detare, grisë dhe të zezës.

Ne arrijmë në auditor, gati për shfaqjen, dhe nxjerrim librat dhe lapsat me ngjyra që do t’i shpërndahen fëmijëve. Prezantimi fillon, dhe veç 50 fëmijëve vizitorë me nënat e tyre dhe me baballarët e burgosur, një numër të burgosurish të tjerë na bashkohen. Pak nga pak, ata e lënë fëmijën e tyre të brendshme të dalë, dhe të qeshë, të gëzojë, dhe harrojnë për një moment realitetin e tyre.

Ne largohemi duke ndjerë nostalgji. Ajo çka bëmë nuk është shumë krahasuar me nevojat, por solli për pak kohë të qeshura, gëzim dhe dashuri.