Më pëlqen shumë t’i blej lodra edukative mbesës sime më të vogël. Sa herë që e shoh, pothuajse gjithmonë i çoj diçka, por kam kuptuar se për të çdo gjë është dhuratë. Edhe kutia ku vjen lodra i duket po aq argëtuese sa vetë lodra. Edhe prania ime me të është dhuratë; ajo gëzohet jashtë mase sa herë hyj në derë. Nëse i kam sjellë diçka apo jo nuk është aq e rëndësishme për të sa përqafimi që i jap kur takohemi.
Kjo më kujton fjalët e Biblës në Mateu 18:2–4: “Dhe Jezusi thirri pranë një fëmijë, e vuri në mes të tyre dhe tha: ‘Me të vërtetë po ju them: nëse nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit. Kushdo që përul veten si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiellit.’” Të gjithë mund të mësojmë të jemi pak më shumë si fëmijët—duke vlerësuar me përulësi të gjitha “dhuratat” që shfaqen në jetën tonë dhe duke i parë me gëzim e kureshtje.
Shpeshherë i shikoj ngjarjet, rrethanat apo sfidat që më dalin përpara dhe përpiqem t’i analizoj. A janë të mira apo të këqija për mua? Nuk i kam kërkuar këto gjëra, çfarë duhet të bëj me to?
Në vend të kësaj, po kuptoj se mund ta falënderoj Zotin në çdo rrethanë, duke ditur se Ai mund t’i bëjë të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën time. (Shih Romakëve 8:28.) Duhet ta pyes Atë çfarë mund të më mësojë përmes çdo gjëje që më vjen në jetë. Dhe mbi të gjitha, duhet të çmoj dhuratën e bashkësisë me Zotin, e cila më jep besimin të përballoj çdo gjë që vjen, ta shqyrtoj dhe të zbuloj çfarë Ai dëshiron të më mësojë.
Këtë vit kam marrë dhurata që ndoshta nuk i kisha kërkuar dhe as nuk i kisha vlerësuar. Herë pas here i jam drejtuar Zotit me pyetjen “pse”, dhe madje kam dashur t’i hedh disa nga këto dhurata, sepse nuk ishin ato që doja. Por Jezusi më ka ndihmuar t’i vlerësoj të gjitha dhuratat që vijnë në jetën time. Dhe kam kuptuar se koha që kam kaluar me Të është dhurata më e madhe, sepse përmes shoqërisë sonë të ëmbël, Ai i vë të gjitha gjërat në vendin e duhur dhe më rikthen gëzimin e thjeshtë të një fëmije.
