Dikur dërgova një kartolinë Krishtlindjeje me fjalët: “Uroj të kesh një Krishtlindje me kuptim.” Muaj më pas, personi që e mori më kontaktoi dhe më tha se ky urim e kishte prekur aq thellë, sa i kishte ndryshuar tërësisht mënyrën e të jetuarit të sezonit të Krishtlindjes. Dhe përgjigjja e saj, nga ana tjetër, më preku edhe mua.
Natyrisht, të gjithë dëshirojmë një Krishtlindje të gëzuar—jo të stresuar e as të nxituar. Një Krishtlindje e gëzuar na sjell ndër mend dekorimet, familjen, miqtë, muzikën, të qeshurat dhe aromat e ushqimeve të festës. Mjafton t’i imagjinosh dhe të zgjojnë menjëherë një ndjenjë ngrohtësie.
Por le të shohim pak përtej kësaj. Çfarë është një Krishtlindje me kuptim? Për mua, asnjë vit nuk ka qenë njësoj; edhe pse ruaj disa tradita, ato asnjëherë nuk zhvillohen identikisht. Megjithatë, një e vërtetë mbetet e pandryshuar: kuptimi i Krishtlindjes është gëzimi i ardhjes së Krishtit në tokë. Mesia i pritur prej kohësh u shtri në një grazhd të thjeshtë prej druri. Historia e Tij ndryshoi botën dhe vazhdon të transformojë edhe jetët tona.
Prandaj, dëshira jonë për ju është që këtë vit—dhe çdo vit tjetër—të përjetoni një Krishtlindje me kuptim, me kohë të mjaftueshme për të reflektuar mbi lindjen e Krishtit dhe mbi engjëjt, barinjtë, dijetarët, udhëtarët e lodhur dhe foshnjën e sapolindur. Çfarë feste e mrekullueshme!
Krishtlindja merr kuptim të veçantë edhe kur gjejmë mënyra për t’u bërë mirë të tjerëve. Ndoshta ka një organizatë bamirësie pranë jush, një familje emigrantësh, apo një mik a të afërm të vetmuar që ka nevojë për një dorë. Dhënia për Krishtlindje është pjesë e bukurisë së saj. Gjej pak kohë t’i shprehësh vlerësimin dikujt që do. Ngadalëso. Ndaji bekimet e tua. Edhe kur bota përreth duket e zymtë, ti mund t’i ndriçosh të tjerët me dritën e Tij.
Ky numër i Activated rrëfen bukur historinë e Krishtlindjes dhe sjell ide e reflektime që mund ta bëjnë këtë sezon më domethënës për ju dhe për ata që doni.
Urojmë që Krishtlindja juaj të jetë plot gëzim e kuptim, dhe prania e Krishtit të ndjehet në zemrën dhe shtëpinë tuaj sot e gjithmonë.
