Çdo vit në Krishtlindje, të krishterët anembanë botës kujtojnë mrekullinë e lindjes së Jezusit dhe ndikimin e saj, që ka prekur botën dhe ka ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e historisë njerëzore. Kur marrim qëllimisht kohë të ndalemi për të reflektuar mbi lindjen e Jezusit dhe flijimin e Tij për ne, madhështia dhe mrekullia e këtij veprimi vendosen në zemrat tona dhe na nxisin të adhurojmë Zotin për dhuratën e Tij të dashurisë për botën (Gjoni 3:16). Është një mesazh i përjetshëm dashurie, gëzimi dhe premtimi.

Krishtlindja ishte një ngjarje e vetme, që ndodhi në një vend të vogël, në një qytet të vogël, dy mijë vjet më parë. Por përmes asaj ngjarjeje, drita dhe e vërteta e dashurisë së Zotit u derdhën në zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre që do të besonin në Të. Lindja e Jezusit ishte një dëshmi e prekshme për mbarë universin e fuqisë gjithëpërfshirëse të dashurisë së Zotit.

Ky foshnjë i lindur në grazhd në Betlehem ishte i destinuar të bëhej Qengji i flijuar i Zotit, “pa njollë e pa cen,” që do të hiqte mëkatet e botës (Gjoni 1:29; 1 Pjetrit 1:18–19). Ai do të zbulohej për ne si “trashëgimtari i të gjitha gjërave, krijuesi i botës; Ai që mban tërë universin; shkëlqimi i lavdisë së Zotit dhe shëmbëlltyra e përkryer e natyrës së Tij” (Hebrenjve 1:2–3).

Bibla përshkruan madhështinë e asaj që Jezusi është. Ai është Zoti i mishëruar në formë njerëzore, plot lavdi, hir dhe të vërtetë (Gjoni 1:14); i Gjithëfuqishmi që është, që ka qenë gjithmonë dhe që do të vijë; fillimi dhe mbarimi (Zbulesa 1:8 NLT). Apostulli Pal e quajti Atë “shëmbëlltyra e Zotit të padukshëm” dhe tha se “të gjitha gjërat u krijuan nëpërmjet Tij dhe për Të, dhe në Të qëndrojnë të bashkuara” (Kolosianëve 1:15–17).

Jezusi erdhi në tokë si buka e jetës që zbriti nga qielli (Gjoni 6:35, 51), dhe si drita e vërtetë që do të ndriçonte çdo njeri (Gjoni 1:9). Bibla paratha se Ai do të ishte forcë për të varfrin, ndihmë për të nevojshmin dhe të ngushtuarin, dhe strehë nga stuhia (Isaia 25:4 NKJV). Foshnja e Krishtit, dhurata më e çmuar që Zoti mund t’i jepte njerëzimit, u përul duke marrë formën njerëzore dhe u përul edhe më tej deri në vdekjen në kryq (Filipianëve 2:8).

Jezusi erdhi të sillte paqe, sepse Ai është Princi i Paqes (Isaia 9:6). Ai erdhi të sillte shërim dhe shpresë për të gjithë njerëzit kudo. Ai është miku ynë, Shpëtimtari ynë, mësuesi ynë dhe Zoti ynë. Ai është ndërmjetësi ynë, i cili “është në gjendje të shpëtojë plotësisht ata që afrohen te Zoti nëpërmjet Tij, sepse Ai jeton gjithmonë për të ndërmjetësuar për ta” (1 Timoteut 2:5; Hebrenjve 7:25).

Ardhja e Jezusit në tokë ishte akti më i vetmohuar që mund të kuptojmë. Dhe nëse kjo nuk do të ishte mjaft e mahnitshme, Ai bëri sakrificën përfundimtare duke dhënë jetën e Tij për ne përmes një vdekjeje të dhimbshme dhe mizore në kryq, duke marrë mbi vete dënimin për mëkatin tonë (Romakëve 6:23). Falë këtij flijimi të dashurisë dhe ringjalljes së Tij pas tre ditësh, Zoti u ofron jetë të përjetshme të gjithë atyre që besojnë dhe e pranojnë Jezusin. Ç’dashuri e pakufishme dhe ç’dhunti e pashprehshme për mbarë njerëzimin (2 Korintasve 9:15)!

Ne e dimë se Jezusi zgjodhi të merrte formë njerëzore dhe të jetonte një jetë brenda kufijve të kohës dhe të botës fizike, duke përballuar gjithçka që ne si njerëz përjetojmë. Zoti zgjodhi, nga dashuria për ne pavarësisht mëkateve dhe të metave tona, të bënte sakrificën më të madhe duke dhënë Birin e Tij për të na shpëtuar dhe për të na sjellë në mbretërinë e Tij. “Zoti e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh pikërisht në këtë: se kur ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8). Ai lejoi që Biri i Tij të vdiste për mëkatet tona — akti më i pastër i dashurisë së vërtetë.

Kur festojmë Krishtlindjen çdo vit, ne i bashkohemi të krishterëve anembanë botës në një akt adhurimi dhe mirënjohjeje për dhuratën e dashurisë së Zotit. Kur i afrohemi Jezusit me zemrat tona në adhurim dhe lutje, dashuria, gëzimi dhe paqja e Tij na rrethojnë. Edhe nëse përballemi me vështirësi gjatë këtij sezoni, premtimet e Tij të mrekullueshme na kujtohen.

Fatkeqësisht, për shumë njerëz, Krishtlindja është pak më shumë se një festë sekulare e komercializuar. Miliona njerëz sot, që luftojnë me varfërinë, padrejtësinë, luftën, frikën dhe vuajtjet, nuk kanë shumë për të festuar. Mesazhi i Krishtlindjes — dhurata e shpëtimit nga Zoti dhe premtimi i një të ardhmeje pa dhimbje, pa vuajtje dhe pa lot — bëhet çdo ditë më i rëndësishëm, ndërsa ngjarjet e botës dobësojnë ndjenjën e sigurisë së njerëzve (Zbulesa 21:4).

Këtë Krishtlindje, le të lejojmë që mesazhi i shpresës të bjerë tingëllueshëm në zemrat tona dhe të reflektohet tek të tjerët përmes jetëve tona. Le të bëjmë secili pjesën tonë për të shpallur mesazhin e Krishtlindjes: se Jezusi është shpresa jonë e përjetshme dhe Ai është përgjigjja për ata që kërkojnë të vërtetën dhe kuptimin.

Le të ndajmë lajmin e mirë se Jezusi e deshi aq shumë çdo njeri sa mori formë njerëzore për të përjetuar jetën ashtu siç e përjetojmë ne, i pambrojtur nga sfidat dhe trazirat e saj. Edhe pse është Biri i Zotit, Ai u përball me rrethana të vështira që nga çasti i ngjizjes, në një kulturë ku një nënë e pamartuar rrezikonte të përjashtohej nga shoqëria. Ai nuk zgjodhi një rrugë të lehtë, sepse në dashurinë e Tij për ne deshi të provonte plotësisht jetën njerëzore.

Prindërit e Tij tokësorë përjetuan shpërngulje dhe ikën në mërgim si refugjatë, duke përmbushur profeci biblike që parathoshin ngjarjet e lindjes dhe jetës së Tij (Osea 11:1; Isaia 7:14). Ne mund të gjejmë shpresë dhe ngushëllim në çdo lloj vështirësie që mund të hasim, duke ditur me siguri se Jezusi e kupton plotësisht gjithçka që ne përjetojmë dhe mund të na mbajë të fortë përmes çdo situate.

Le të bëjmë secili pjesën tonë për të ndarë dashurinë, gëzimin dhe premtimin e Krishtlindjes — se ekziston shpresë, dhe se të gjithë, pavarësisht kush janë apo çfarë jete kanë pasur, janë të ftuar të hyjnë në mbretërinë e Tij të paqes, dashurisë, gëzimit dhe jetës së përjetshme. Le të jemi gjithmonë gati ta shpërndajmë mesazhin e Tij të paqes, mirësisë dhe dashurisë që të tjerët të mund të përjetojnë kuptimin dhe gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes.

Nëse dëshironi të përjetoni thellësinë e dashurisë që fshihet pas historisë së Krishtlindjes dhe gjithçka që ajo përfaqëson, lutem që të pranoni dhuratën e shpëtimit që Jezusi ofron, nëse ende nuk e keni bërë. Ju mund ta bëni këtë duke thënë thjesht lutjen e mëposhtme, duke i kërkuar Jezusit t’ju falë për mëkatet dhe të jetë Zoti dhe Shpëtimtari juaj.

Jezus, besoj se Ti je Biri i Zotit dhe se ke vdekur për mua dhe u ringjalle. Të lutem, më fal të gjitha mëkatet e mia. Të ftoj të hysh në zemrën dhe jetën time. Më mbush me dashurinë Tënde dhe me Frymën e Shenjtë, dhe më jep dhuratën e jetës së përjetshme. Amen.