Do të thosha se pjesa më e ndërlikuar e Krishtlindjes është vendimi nëse duhet të përfshihet apo jo dhënia e dhuratave. Ajo mund të kthehet në barrë për kohën, energjinë, financat dhe vetë frymën e festës, ose mund të jetë një bekim, një mënyrë për t’u treguar të dashurve se sa shumë i vlerëson.

A të kujtohet kur blije dhurata për prindërit dhe vëllezërit e motrat kur ishe i vogël? Mua po. Kisha një shumë të caktuar parash dhe gjatë të gjithë dhjetorit vëzhgoja me kujdes secilin anëtar të familjes, duke kërkuar ndonjë ide që të më ndihmonte të gjeja dhuratën e duhur. Babai im ishte lexues i pasionuar, sidomos i historisë. Mami dhe unë lexonim recensionet e botimeve të reja derisa gjenim titullin e përkryer për dhuratën e tij.

Nuk e mbaj mend mirë çfarë dhuratash mora kur isha fëmijë, as ato që dhashë. Por e mbaj mend kujdesin me të cilin zgjidhja secilën dhuratë, si dhe atë ndjesinë e bukur kur e dija se kisha bërë zgjedhjen e duhur. Parimi biblik është i vërtetë: “Më e lumtur është të japësh sesa të marrësh” (Veprat 20:35).

Janë kujtime të bukura, por si e rritur nuk mund të them se çdo Krishtlindje ka qenë kaq idilike. Ka pasur shumë vite kur lista e njerëzve për t’u bërë dhurata ishte shumë e gjatë, financat shumë të pakta dhe koha shumë e ngjeshur. Si rezultat, gëzimi i dhënies humbiste, duke lënë pas vetëm ankth.

Më pëlqen të besoj se si i Mençurit ndiheshin kur i sollën dhuratat e tyre Jezusit—dhurata të zgjedhura me kujdes dhe me zemër. (Shih Mateu 2:10–11.) Dhe do të doja ta festoja—pa stres—kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes, i cili nuk lidhet me shpenzimet dhe blerjet, por me lindjen e Jezusit, Shpëtimtarit tonë, dhuratës së Zotit për të gjithë ne. (Shih Gjon 3:16.)

Disa këshilla që më kanë ndihmuar janë:

  • Bëj blerjet herët. Gjatë vitit, sa herë që gjej një dhuratë që mendoj se dikujt do t’i pëlqejë ose i duhet, e blej dhe e ruaj për Krishtlindje.
    • Bli në zonën tënde. Vizitoj dyqane të vogla ose panaire për dhurata origjinale. Blerjet janë më personale dhe ndihmojnë bizneset lokale.
    • Qëndro brenda buxhetit. Dashuria në zemrën tënde nuk lidhet me madhësinë e dhuratës. Më pëlqen t’u bëj dhurata të punuara me dorë rrethit tim më të gjerë të miqve—zbukurime për pemë, faqe-ndajëse të personalizuara, ëmbëlsira, e të tjera.

Uroj që të kesh një festë Krishtlindjeje të mbushur me kuptim, pranë Dhuruesit më të Madh të të gjithëve, Krishtit.