Në parim e di që lumturia nuk varet nga rrethanat, dhe se gëzimi është një dhuratë nga Zoti që mund ta kesh pavarësisht se çfarë po kalon. Por ta dish këtë dhe ta jetosh janë dy gjëra shumë të ndryshme.

Vetëm sot, ndërsa isha gati të ulesha për të shkruar këtë artikull për gëzimin, diçka ndodhi dhe ma rrëmbeu gëzimin. Shkoi fluturimthi! A mundet vallë diçka që duhet të banojë në shpirtin tim të më ikë kaq shpejt? Ashtu duket ndonjëherë.

Në Galatasve 5:22 thuhet se gëzimi është fryt i Shpirtit të Zotit që banon në mua. Romakëve 15:13 thotë: “Zoti i shpresës ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besim, që me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë të jeni të pasur në shpresë.” Pra, gëzimi nuk është diçka që unë e prodhoj vetë, por diçka që mund ta marr.

Fjala e Zotit na thotë të “gëzohemi”, të “e quajmë gëzim”, të “lavdërojmë” dhe të “falënderojmë.” Të gjitha janë fjalë që kërkojnë veprim. A është e drejtë të themi se gëzimi është një zgjedhje? A e zgjodha unë gëzimin sot kur humori im u prish aq shpejt nga rrethanat? Jo. Gëzimi ishte e kundërta e asaj që ndjeja. Ishte njësoj si kur detyrohem të ngrihem nga krevati për të shkuar në palestër, edhe pse nuk dua. “Të jesh i gëzuar” në atë moment do të thotë të tërhiqesha në drejtim të kundërt nga ajo që ndjeja.

Nuk di t’ju them sa herë jam detyruar të bëj palestër kur më shumë doja të qëndroja në shtrat apo në divan. Por as nuk mund të kujtoj ndonjë herë kur e kam penduar një stërvitje; gjithmonë ndihem më mirë pas saj sesa në fillim.

Po kështu, nuk më ka ndodhur asnjëherë që të kem zgjedhur gëzimin dhe të jem penduar. Kurrë nuk kam menduar: “Më mirë të kisha mbetur i mërzitur ose i trishtuar!”

Leximi i këtyre vargjeve biblike ishte një rishtrirje e mirë mendore për mua. I kërkova Zotit të më mbushte me gëzim e paqe që të jem i pasur në shpresë. Dhe pastaj bëra hapin praktik të gëzimit – dhe po funksionon.

Miqtë e mi, nëse keni humbur gëzimin tuaj, ju kuptoj. Dhe nuk dua ta thjeshtoj tepër. Jeta është e vështirë, dhe disa stinë zgjasin shumë, janë të vetmuara dhe të thata. Nëse jeni aty, lutem që Zoti t’ju mbushë me gëzimin dhe paqen e Tij, që me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë të jeni të pasur në shpresë.

Nëse ke ende frymë në mushkëritë e tua, ke arsye për lavdërim. Fillo aty, dhe shiko ku të çon.