Ne e ndërtojmë punën tonë me qëndrimet dhe veprimet që bëjmë ditë pas dite. Ja disa mendime që duhet t’i kemi parasysh për të shkëlqyer në punët tona.

  1. Bëj punë vullnetare.

Në përrallën e vjetër të folklorit të “Pula e Vogël e Kuqe”, ajo donte të bënte bukë, ndaj i kërkoi kafshëve në oborrin e hangarit ta ndihmonin të mblidhte grurin, por të gjithë ishin papritur shumë të zënë dhe nuk kishin mundësi, kështu që ajo e bëri vetë. Më vonë, ajo i pyeti kush do ta ndihmonte ta bluante grurin e ta bënte miell, por të gjithë ishin shumë të zënë. Më pas, ajo i pyeti se kush do ta ndihmonte të sitë miellin dhe përziejë përbërësit; përsëri, të gjithë ishin shumë të zënë për ta ndihmuar. Pasi kërkoi disa herë ndihmë, ajo përfundoi duke e bërë të gjithë punën vetë. Megjithatë, si pasojë, kafshët e humbën mundësinë të shijonin bukën e pjekur.

Le të mos sillemi si ta. Nëse shefi juaj dhe bashkëpunëtorët e dinë mund të mbështeten tek ju për të ndërmarrë një hap tjetër kur të jetë nevoja, ata do të varen në besueshmërinë dhe gatishmërinë tuaj për të mbaruar punë. Shfaqja e iniciativës të çon në shtimin e besimit, shpërblimeve dhe përgjegjësisë.

Në Bibël, Davidi doli vullnetar të luftonte gjigantin Goliath, duke u bërë heroi i ditës dhe duke fituar respekt nga Mbreti Saul. Një tjetër shembull është kur Isaia doli vullnetar të ishte lajmëtar për Zotin duke thënë, “Ja ku jam, dërgomë mua!” 1.

  1. Kuptojini mirë detajet.

Vëmendja mbi detajet thotë shumë për një person.  Nëse nuk përpiqeni të shqiptoni një fjalë (apo një emër) saktë apo të mësosh faktet siç janë, personat përreth do të marrin të mirëqenë se nuk mund të shqetësohesh për të rregulluar as gjëra të tjera. Jezusi tha: “Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë.” 2

Nëse shkon në tualet te një restorant dhe është i pisët, ju mund të shqetësoheni se edhe kuzhina është gjithashtu e pisët, dhe kështu, mund të vendosni të hani diku tjetër. Edhe pse mund të ndodhë të jetë thjesht një ditë e ngarkuar, përsëri mund të ketë një efekt negativ mbi reputacionin e biznesit.

Pavarësisht detyrave, vëmendja personale drejt detajit tregon se njerëzit mund të kenë besim tek ju për t’i bërë gjërat me saktësi dhe se do të përkushtoheshit shumë për ta bërë atë siç duhet.

Kapitulli i Fjalëve të Urta thotë, “Kur punon me dorë përtace varfërohesh, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.” 3

  1. Shmangini thashethemet.

Pauli i paralajmëroi Efesianët, “Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.” 4

Bërja e thashethemeve mund të duket e pafajshme, por fjalët gjejnë mënyrën për të t’u kthyer kundër. Nëse nuk do ta thoshit diçka përballë dikujt, me shumë gjasa, nuk do të ishte ide e mirë t’ua thoshee të tjerëve atë. Filozofi klasik grek Sokrati, i cilësuar si një nga themeluesit e filozofisë perëndimore, thuhet të ketë thënë: “Mendjet e mëdha diskutojnë mbi ide, mendjet mesatare diskutojnë mbi ngjarje, dhe mendjet e vogla diskutojnë mbi njerëzit.”

  1. Ji i besueshëm.

Shefi yt mbështetet tek ti, dhe veçse jeni vërtet të sëmurë, lojërat për t’ju shmangur punës do ta zhgënjejnë atë dhe kolegët tuaj. Ju mund të largoheni duke sajuar se jeni sëmurë për t’ju shmangur punës, por njerëzit do të vijnë t’ju shohin si dikush që ka humbur gjuajtjen, duke u lënë atyre detyrën të mbledhin copat e mbetura.

Pauli i tha Thesalonikasve, “Në fakt, dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar.” 5 Sipas një reference përkthimi origjinal grek i “çrregullt” do të thotë të luash pisët.

  1. Mos rri kurrë kot.

Në vend që të shpenzosh kohën kur ke mbaruar detyrat e tua, hidh një sy vërdallë se çfarë duhet bërë tjetër.

Jeroboam në Bibël ishte një shembull i denjë për këtë. Kur Mbreti Solomon pa sa mirë e bënte i riu punën e tij, e  vendosi atë në krye të të gjithë forcës punëtore të shtëpisë së Jozefit. 6 Mund të jeni të sigurt që kjo nuk erdhi si pasojë e ndenjjes së kotë dhe humbjes së çdo mundësie që i paraqitej.

  1. Jini të sjellshëm.

Kjo është një temë e gjerë, dhe disa aspekte mund të duken të qarta, por mbulon gjithçka që nga sjelljet e mira, duke qenë i sjellshëm portierit apo te shqetësimi sado i vogël i kolegëve. Mënyra sesi i trajtoni të tjerët mund të ndikojë në mënyrën sesi ju shohin njerëzit. Njerëzit të cilët janë të sjellshëm dhe me të cilët punohet në harmoni kanë më shumë referenca, kontakte dhe miq.

Gjithashtu, ndikon jashtëzakonisht në aftësinë tuaj për të bërë biznes. Libri i Dale Carnegie Si të Fitosh Miq dhe Njerëz me Influencë shpjegon se si mirësia dhe shfaqja e interesave të vërtetë tek të tjerët shpesh kanë qenë çelësi në suksesin e bizneseve. Libri i tij ka një koleksion të madh historish mbi njerëz të suksesshëm të cilët ishin të interesuar mbi të tjerët dhe përdornin mirësinë në biznes.

Një nga të preferuarat e mia është rreth një biznesmeni që quhej z. Duvernoy, i cili donte të ishte furnizuesi me bukë i një hoteli në Nju Jork. Ai u përpoq për javë të tëra ndër vite, të linte një takim për t’i paraqitur produktet e tij menaxherit, por nuk pati sukses as me këtë.

Pasi mësoi mbi marrëdhëniet pozitive e humane, vendosi t’i testonte ato. Ai zbuloi se menaxheri ishte pjesë e Hotelit “Greeters” të Shoqatës Amerikane dhe ishte aq i pasionuar pas saj, saqë merrte pjesë në çdo kongres, eveniment dhe madje kishte kandiduar për president.

Herën tjetër, kur z. Duvernoy e takoi menaxherin e hotelit, e çoi bisedën drejt kësaj shoqërie. Menaxheri, i cili pa dyshim e pëlqente shumë këtë temë, kaloi gjysmë ore duke folur për të. “Ndërkohë, nuk kisha thënë asgjë rreth bukës,” tregonte z. Duvernoy. “Por disa ditë më vonë, një nga punonjësit e hotelit të tij më telefonoi të paraqisja produktet dhe çmimet. ‘Nuk e di se çfarë i bëre djaloshit të vjetër,’ më përshëndeti punonjësi, ‘por duket se ia bleve mendjen!’”

Carnegie tha, “Mund të zësh më shumë miq brenda dy muajve duke u interesuar në njerëz të tjerë sesa mund të zësh brenda dy viteve duke u përpjekur t’i bësh njerëzit të interesohen për ty.”

  1. Kërkoni mendimin mbi punën tuaj.

Në një artikull që lexova, sugjeronin të kontrolloje me shefin apo skuadrën tënde sa më shpesh si po ecën puna dhe të pyesësh si mund të përmirësohesh. Kjo tregon që jeni të përqendruar dhe se e merrni punën seriozisht.

Sikur apostuli Paul të ishte duke shkruar sot, me shumë gjasa do të thoshte diçka si, “Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit.” 7 Mënyra si silleni, si ndërveproni me kolegët dhe shefin tuaj, thotë shumë për ju si person dhe ndikon në shembullin që jepni si i krishterë.

Mbreti David i Biblës lutej gjithmonë të gjente mënyra si mund të përmirësohej Tek Psalmet ai thotë, “O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso.” 8

Moisiu gjithashtu komunikonte rregullisht me Zotin: “Prandaj tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tua.” 9

  1. Mos u përfshini në romanca zyre.

Ky nuk është një rregull i përcaktuar, edhe pse kompani të ndryshme kanë politikat e tyre të brendshme, ndaj është e rëndësishme t’i njohësh dhe t’i ndjekësh ato, por ekspertët shpesh rekomandojnë t’i mbash romancat larg vendit të punës.

Lidhjet dhe miqësitë janë të mrekullueshme, por mbani gjithmonë mend qëllimet tuaja dhe mos lejoni që gjëra të tjera t’ju shpërqendrojnë.

  1. Dukuni profesionalë.

Mënyra si dukeni dhe visheni reflekton për mirë ose keq kompaninë në të cilën punoni apo shërbimin që ofroni. Disa punë kanë një kod veshjeje; nëse e juaja nuk ka, merrni shembull nga individë të respektuar në punën tuaj. Imagjinoni sikur do të mbeteni të bllokuar në ashensor me drejtorin e kompanisë, dhe vishuni për atë rast, çdo ditë. Kjo është akoma më e rëndësishme në një intervistë punë, pasi përshtypjet e para janë të rëndësishme.

Edhe pse Bibla tregon qartë se Zoti është më i interesuar se çfarë ka në zemrat tona, na mëson të tregohemi të kujdesshëm pasi “njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.” 10 Sigurohuni që pamja juaj e jashtme t’ju shërbejë më së miri dhe të tregojë respekt për pozicionin që keni apo doni.

  1. Tregoni vlerësim.

Nëse dikush e bën mirë punën e vet, pranojeni. Nëse dikush ju ndihmon, falënderojeni. Të thuash gjëra të mira për të tjerët, kur nuk janë të pranishëm është gjithashtu një gjë e mrekullueshme për t’u bërë, sepse nëse shkon në veshin e atij personi, ky veprim do të ketë më shumë vlerë se gjërat e mira që i thoni atij drejtpërdrejt.

Me ritmin e shpejtë të botës së sotme, është e thjeshtë të harrosh vlerën e disa fjalëve të thjeshta. Thjesht merrni disa minuta për të vlerësuar personat me të cilët punoni dhe kontributet e tyre, për t’i bërë ata të ndihen të vlerësuar.

Dale Carnegie shkroi: “Nuk keni pse të prisni … para se ta përdorni këtë filozofi vlerësimi. Mund të bëni magji me të, thuajse çdo ditë.”

T’i bësh kolegët e tu të ndihen të vlerësuar dhe të rëndësishëm është çelësi drejt suksesit dhe drejt një bashkëpunimi të lumtur. Mund të duket si gjë e vogël, por sjell rezultate të mëdha.

  1. Isaia 6:8
  2. Luka 16:10
  3. Fjalët e Urta 10:4
  4. Efesianëve 4:29
  5. 2 Thesalonikasve 3:11–12
  6. Shih 1 i Mbretërve 11:28.
  7. Efesianëve 6:5, e parafrazuar
  8. Psalmet 25:4–5
  9. Eksodi 33:13
  10. 1 i Samuelit 16:7