Fabula e filmit Shenandoah është vendosur gjatë Luftës Civile në Amerikë. Është një histori prekëse e një familjeje jugore të shfaqur në konfliktin e ditës. Patriarku i familjes, Çarli Andërson, vazhdimisht ndalon djemtë e tij, që duan t’i bashkohen luftës. Çarli do të mbajë qëndrim neutral dhe të mos përfshihet derisa lufta të prekë vërtet familjen e tij.

Deri në fillimin e luftës, ata patën një jetë goxha të mirë. Familja zotëronte një fermë të madhe; gjashtë djemtë ishin të gjithë burra të rritur dhe punonin për ta bërë fermën produktive. Ata ishin të qetë dhe kishin filluar të martoheshin dhe të krijonin familjet e tyre. I ati ishte i ve, por duke parë fëmijët e tij që ishin rritur të fortë, të lumtur dhe të zgjuar, si dhe duke parë fermën në begati, ishte i lumtur me jetën e tij.

Një ditë, djali më i vogël, Boi, del të gjuajë rakunë me mikun e tij dhe pengohet në një pritë të Konfederatës. Ata ia futën vrapit dhe ia mbathën nga prita. Kur menduan se rreziku kishte kaluar, dy djemtë ndaluan në një përrua për të pirë ujë. Te përroi, Boi gjen një kapelë të vjetër rebeli (aleatët ishin rebelë) dhe pa e pasur mendjen e vë në kokë. Pa kaluar as një minutë, një patrullë e Unionit ndeshet me djemtë dhe e ngatërrojnë Boin me ushtar rebel. Ushtarët e Unionit e marrin atë si të burgosur lufte.

Miku i tij ia mbath dhe kthehet në fermë për t’i thënë Çarlit çfarë i kishte ndodhur të birit. Tani, krejt papritur, lufta e shqetëson pa masë. Ai nga një spektator i luftës e hedh veten bën të pamundurën për të shpëtuar të birin. Ai i thotë bijve të tij, “Është lufta jonë tani.” Lufta ishte kthyer në personale. Ai nuk po i merrte armët se një qeveri apo një tjetër e kishte detyruar ta bënte, por ngaqë ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim dhe jeta e dikujt që ai donte ishte në rrezik.

Sapo mori vendimin që kjo qe lufta e tij, ai nuk kishte nevojë për askënd që t’i tregonte ç’të bënte. Ai nuk kishte nevojë për motivim; të luftonte për atë që donte, ishte i gjithë motivimi që ai kishte nevojë.

Mund të identifikohem me Çarli Andërson dhe me frazën “është lufta ime tani” që ai thotë në histori. Unë e kam njohur gjithmonë Jezusin dhe besoj se e doja, por m’u desh kohë ta zgjidhja me të vërtetë, që të flisja me Të. Nëse jeta është e qetë për ty dhe ti mund të shmangësh vështirësitë që shoqërojnë përpjekjet të jetosh jetën e një besimtari… e po, kush do vështirësi, apo jo?

Por ja si është puna. Djalli është jashtë për të penguar, shmangur dhe ndaluar planin e Zotit për njerëzimin dhe i ka caktuar tashmë fëmijët e Zotit si armiqtë e tij. Si kundërpërgjigje, bëjmë thirrje të marrim “armatime” shpirtërore 1 dhe të bëjmë ndryshimin në luftë, përmes shembullit tonë.

Por e gjithë kjo nuk ka ndonjë domethënie derisa të bëjmë zgjedhjen “ta bëjmë atë luftën tonë.” Në momentin kur beteja bëhet personale, atëherë, si Çarli Andërson, ne nuk do të jemi thjesht vëzhgues të rastësishëm të asaj çka ndodh përreth nesh, por do të jemi ata që janë të vendosur të bëjnë ndryshimin.

Fillon duke kuptuar pse kanë rëndësi vendimet e vogla. Siç një ushtar stërvitet çdo ditë, pavarësisht nëse është në luftë a jo, ne duhet të jemi aktivë me përgatitjen tonë shpirtërore. “Misionet” tona, me shumë mundësi, do të jenë shumicën e kohës gjërat e jetës së përditshme. Të miat janë. Si të jesh një paqeruajtës, i vetëdijshëm, të marrësh kohën e nevojshme për t’u kujdesur për nevojat e të tjerëve dhe shumë gjëra të tjera të kësaj natyre. S’ka gjë. E kuptoj që edhe ato gjëra të vogla kanë ndikim në përpjekjet e përgjithshme të luftës.

Çështja është se unë kam zgjedhur t’ia përkushtoj përpjekjet e mia kauzës së Krishtit. Nuk e bëj këtë gjë sepse e bënë apo jo prindërit e mi, apo sepse e bëjnë apo jo miqtë e mi. Është diçka që e bëj, sepse lufta e Zotit është bërë lufta ime dhe dua të sigurohem që të siguroj sa më shumë fitore të mundem për palën tonë.

  1. Shih Efesianëve 6:10–18.