Po dëgjoja një mesazh të shkurtër devocional që fliste për rëndësinë e të folurit pozitivisht me veten. Një nga vargjet biblike që u përdor si shembull ishte Psalmi 42:5:
“Pse je ligështuar, shpirti im, dhe pse je turbulluar brenda meje? Ki shpresë te Zoti, sepse unë do ta lëvdoj përsëri Atë, shpëtimin tim dhe Perëndinë tim.”
Nëse lexojmë pjesën tjetër të këtij psalmi, vëmë re diçka interesante: Davidi shpreh mjaft pesimizëm dhe ankesa kur i drejtohet drejtpërdrejt Zotit, por kur flet me veten, është sikur po i jep zemër vetes. Ai nuk po i shtypte ndjenjat e tij, por, në vend që të zhytej në to, zgjodhi t’i kthente në lutje.
Të mësojmë t’i drejtojmë mendimet dhe ndjenjat tona në një mënyrë pozitive nuk është gjithmonë e lehtë. Shumë njerëz e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë, sepse kur ndihemi keq, përpjekja për të menduar pozitivisht mund të na duket e sforcuar, madje edhe e pasinqertë. Në të vërtetë, kjo është më tepër çështje vetëdisipline dhe vullneti. Gjithçka ndryshon kur kuptojmë se, nëse i lejojmë ndjenjat të na sundojnë mendimet e vetëdijshme, kjo mund të na dëmtojë ose, të paktën, të na shkurajojë.
Po, kemi nevojë për vetëdisiplinë. Por të jesh i krishterë dhe të kesh besim te Zoti nuk do të thotë se duhet t’i shtypim ndjenjat tona. Përkundrazi, mund t’i drejtojmë ato në një drejtim tjetër, duke ia dorëzuar Zotit. Pasi ta kemi bërë këtë, duhet të bëjmë edhe pjesën tonë, duke mësuar t’i flasim vetes me fjalë pozitive dhe plot shpresë.
Një mënyrë për ta bërë këtë është të praktikojmë meditimin e krishterë. Shpesh, kur njerëzit dëgjojnë fjalën “meditim”, mendojnë për meditimin lindor, i cili synon zbrazjen e mendjes me vetëdije. Por meditimi i krishterë është krejt e kundërta. Ne udhëzohemi ta mbushim mendjen me mendime të mira dhe ta përqendrojmë vëmendjen te Fjala e Zotit.
“Sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.” (Psalmi 119:97)
“Ky libër i ligjit të mos largohet nga goja jote, por medito mbi të ditë e natë, që të kesh kujdes të zbatosh gjithçka që është shkruar në të. Atëherë rruga jote do të jetë e mbarë dhe do të kesh sukses.” (Jozueu 1:8)
Ja disa nga vargjet e mia të preferuara biblike, mbi të cilat më pëlqen të meditoj:
- Unë kërkoj Zotin dhe nuk më mungon asnjë e mirë. (Psalmi 34:10)
- Zoti është i mirë dhe mëshira e Tij vazhdon përjetë. (Psalmi 100:5)
- Zoti po ma rikthen shëndetin dhe po shëron të gjitha plagët e mia. (Jeremia 30:17)
- Zoti shëron zemrën time të thyer dhe m’i lidh plagët. (Psalmi 147:3)
- Zoti është i madh dhe i pafund në fuqi. (Psalmi 147:5)
