“Mami, më pëlqen shumë mbretëria e qiejve!” Kështu më tha vajza ime dyvjeçare, Lili, ndërsa ishte strukur nën batanije pranë meje.
“Mami, dua të lind nga qielli.”
Çfarë mendimi i thellë për një zemër kaq të vogël! mendova me vete.
“Epo, zemra ime, ti mund të lindësh nga qielli. Nëse besojmë te Jezusi, Bibla thotë se ne lindemi përsëri. A e ke Jezusin në zemrën tënde?”
“Po! Jezusi është në zemrën time. Ai më do. Dhe një ditë do të jem në qiell me babin dhe me ty.”
“Ashtu është, një ditë do të jemi të gjithë bashkë në qiell me Jezusin.”
“Po, dua të jem në qiell me Jezusin.”
Kjo bisedë me vogëlushen time më bëri të ndalem e të mendoj.
Ungjilli është kaq i thjeshtë, saqë mund ta kuptojë edhe vajza ime dyvjeçare. Jezusi tha te Luka 18:17: “Kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të.”
Shpesh e kam pyetur veten: Si mund ta pranoj të vërtetën e Zotit me zemrën e një fëmije? Si mund t’i lë mënjanë pasiguritë dhe dyshimet e mia prej të rrituri dhe thjesht të besoj, ashtu si një fëmijë i vogël? Fëmijët e mi kanë disa cilësi nga të cilat mund të mësoj shumë.
Dashuria: Ata duan pa kufij dhe pa paragjykime, pikërisht ashtu siç na mësoi Jezusi të duam të afërmin tonë (Mateu 22:39) dhe madje edhe armiqtë tanë (Mateu 5:44).
Kureshtja: Ata janë plot kureshtje, por i pranojnë përgjigjet që u japim, sepse kanë besim se do t’u themi të vërtetën. “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e zbuluara na përkasin neve dhe fëmijëve tanë përgjithmonë, që të zbatojmë të gjitha fjalët e këtij ligji” (Ligji i Përtërirë 29:29).
Besimi: Ata kanë besim tek unë dhe tek babi i tyre se do të kujdesemi për ta dhe do t’u plotësojmë nevojat, ashtu siç na premton edhe Bibla te Filipianëve 4:19: “Perëndia im do të plotësojë çdo nevojë tuajën sipas pasurisë së tij në lavdi, në Krishtin Jezus.”
Ndryshe nga fëmijët e mi, unë shpesh e rëndoj veten me ankth dhe shqetësime. Ndonjëherë është sikur harroj se ilaçi për të gjitha këto është besimi te Jezusi dhe shpresa e gjallë për jetën në qiell. Këto janë dy gjëra që nuk duhet t’i lëmë kurrë pas, pavarësisht sa rritemi.
Nëse ende nuk e ke pranuar Jezusin si Shpëtimtarin tënd, mund ta bësh këtë duke u lutur me këto fjalë:
I dashur Jezus, besoj se Ti je Biri i Zotit dhe se vdiqe në kryq për mua, që unë të mund të jetoj përgjithmonë me Ty në qiell. Ta hap derën e zemrës sime. Të lutem, m’i fal mëkatet. Mbushe zemrën time me Frymën Tënde të Shenjtë. Drejtoje jetën time dhe më ndihmo të të ndjek Ty. Amen.
