Meqenëse kam lindur në epokën “para internetit”, shpesh i shoh njerëzit që shkruajnë mesazhe me nxitim, njëri pas tjetrit, dhe ndonjëherë pyes veten se si do t’ia kishin dalë “në kohët e vjetra”, kur të shkruaje një mesazh do të thoshte të uleshe përpara një makine shkrimi prej rreth 14 kilogramësh, të përdorje lëng korrigjues ose gomë fshirëse, të shkoje në postë, të prisje në radhë për të blerë një pullë, të prisje një ose dy javë që letra të mbërrinte në destinacion dhe pastaj të prisje edhe një ose dy javë të tjera për përgjigjen.
Pse vallë janë të gjithë kaq të zënë? Një herë, kur ndodhesha në Indi, edhe shoferi i një rikshauje me motor bënte disa gjëra njëherësh. Ndërsa përpiqej të manovronte mes trafikut të qytetit, po negocionte një marrëveshje biznesi në celular. A ishte vallë aq i ri sa të mos mbante mend kohën kur, për të bërë një telefonatë në publik, duhej të gjeje një kabinë telefonike, të kishe me vete kusurin e duhur dhe të hidhje monedha të tjera në telefon nëse biseda zgjaste më shumë se tre minuta?
Ajo që dua të di është: ku shkon gjithë ajo kohë që kursejmë tani, duke mos pasur më nevojë të kalojmë nëpër gjithë ato mundime? A nuk duhet të na teprojë koha e lirë, falë gjithë këtyre mrekullive moderne që na kursejnë kohë?
Mos vallë gjithçka vjen thjesht nga paaftësia për ta menaxhuar mirë kohën? Këshilla të mira ka plot: Vendosni përparësitë. Delegoni detyrat. Filloni me punët më të vështira. Largoni nga jeta juaj gjithçka që ju rëndon e ju shpërqendron. Mësoni të thoni jo.
Por çështja është më e thellë se kaq. Ndonjëherë nuk ka të bëjë aq shumë me atë që bëjmë, sesa me atë që po bëhemi. Siç ka thënë Rabindranath Tagore: “Ai që është tepër i zënë duke bërë mirë, nuk gjen kohë të jetë i mirë.”
Si mund ta ngadalësojmë pak ritmin dhe ta shijojmë më shumë jetën, pa lënë pas dore gjërat që vërtet duhen bërë?
Ditën tjetër po bëhesha gati të dilja për një takim, kur mbesa ime më kapi për dore dhe më pyeti gjithë entuziazëm: “A mund të të tregoj hapat e rinj që mësova në kursin e kërcimit?”
Para se të më dilte nga goja: “Më fal, jam shumë i zënë tani. Ma trego një herë tjetër”, mendja më çoi pesë vjet përpara. Përfytyrova sikur e dëgjoja të thoshte, ndërsa nxitonte të dilte nga dera: “Më fal, gjysh! Jam shumë e zënë tani me jetën si adoleshente!”
“Patjetër!”, iu përgjigja. “Hajde, m’i trego lëvizjet e tua!”
Pas pesë minutash kërcimi plot gjallëri dhe duartrokitjesh pa ndërprerje, u nisa për në takim. Ndihesha më pak i stresuar dhe shumë më optimist.
Më në fund, e kisha gjetur përgjigjen e pyetjes sime. Nëse ndalemi për pak çaste dhe marrim kohë për të nuhatur lulet, aroma e tyre do të na shoqërojë gjatë gjithë ditës. Ajo do të na kujtojë se jeta ka shumë më tepër për të ofruar sesa thjesht të nxitojmë drejt detyrës së radhës.
