Lavdërimi të ndihmon të shohësh gjithçka nga një këndvështrim tjetër dhe t’i vështrosh rrethanat përmes syzeve të besimit, me sigurinë e plotë se Unë do t’i përmbush qëllimet e Mia të mira në çdo gjë (Isaia 46:10). Pavarësisht se çfarë situate po kalon, mund të kesh besim se Unë jam gjithmonë pranë teje. Edhe sikur të ecësh nëpër luginën më të errët, Unë do të jem me ty (Psalmi 23:4).

Të më lavdërosh nuk do të thotë t’i shohësh gjërat përmes syzeve rozë, duke i shpërfillur vështirësitë. Do të thotë të shpallësh besimin tënd tek Unë dhe në sovranitetin Tim. Do të thotë të zgjedhësh ta shohësh jetën me sytë e besimit dhe të mirënjohjes. Prandaj, kur zemra jote rëndohet nga shqetësimet, problemet apo stresi, eja tek Unë dhe hyr në praninë Time me falënderim e lavdërim (Psalmi 100:4). Lëri vend gëzimit Tim që të mbushë zemrën tënde dhe të ripërtërijë guximin e forcën tënde. Lavdërimi dhe adhurimi sjellin gëzim, dhe gëzimi Im do të jetë forca jote (Nehemia 8:10).

Një këndvështrim i mbushur me lavdërim mund ta shndërrojë një ditë të vështirë në një ditë të bukur, kur zgjedh t’i përqendrosh mendimet te gjërat e shumta të mira, të vërteta, të bukura, të shkëlqyera dhe të denja për lavdërim që rrethojnë jetën tënde (Filipianëve 4:8). Zgjidh të mendosh për këto gjëra dhe gëzimi Im do të të japë forcën për t’u ngritur mbi sfidat dhe vështirësitë e përditshme.

Lavdërimi e ngre shpirtin tënd në praninë Time. Ai të ndihmon t’i shohësh gjërat me më shumë shpresë dhe të kesh një këndvështrim më të qartë e të drejtë për gjithçka, një këndvështrim të mbushur me besim dhe me sigurinë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që më duan (Romakëve 8:28).