Që në momentin që hyn në restorant, nuk mund t’i shpëtosh buzëqeshjes së saj të ngrohtë. E njoh prej më shumë se 20 vitesh dhe ende duket e njëjta. Është e vogël, e thjeshtë dhe gjithmonë në lëvizje, duke u marrë me pafundësinë e situatave urgjente që sjell një restorant i madh si i saj. Ajo duket sikur i njeh të gjithë; por mbi të gjitha, ka gjithmonë një buzëqeshje dhe një fjalë inkurajimi. Sa herë që e vizitoj, mbetem pa fjalë.

Jeta nuk ka qenë e përsosur për të. Ka pasur vështirësi familjare dhe probleme serioze shëndetësore. Në një periudhë, filloi të kishte migrena aq të forta sa nuk mund të qëndronte në këmbë. Mjekët zbuluan një tumor të madh në tru dhe duhej të operohej. I deshën disa vite për t’u rikthyer në normalitet, por megjithatë nuk hoqi dorë nga puna. Përkundër dhimbjeve dhe lodhjes, mungoi shumë rrallë.

Besoj se shumë njerëz vijnë në restorantin e saj vetëm për të marrë një nga buzëqeshjet e saj dhe një fjalë të thjeshtë ngushëllimi! Por jeta e kësaj gruaje ka shumë më tepër sesa shfaqet në dukje.

Ajo shpesh ofron ushqim për njerëzit në nevojë. Për fat të mirë, gjithnjë e më shumë pronarë restorantesh kanë filluar ta bëjnë këtë, duke e çuar ushqimin që ndryshe do të hidhej në strehimoret për të pastrehët.

Punëson ish-të varur nga droga dhe ish-të burgosur. Duhet një besim dhe guxim i madh për t’i dhënë një mundësi njerëzve me të kaluar të vështirë, por shumë prej tyre janë prekur dhe madje ndryshuar rrënjësisht. Të rifitosh besimin e dikujt është një dhuratë e paçmueshme.

Gjithashtu, ajo hap derën dhe ofron strehim për nëna të vetme me fëmijët e tyre. Unë këtë e quaj krishterim në formën e tij më të bukur: kur hap jetën tënde dhe ndan atë që ke me “fqinjin” në nevojë. Sigurisht që mund të bëhet e lodhshme, e çrregullt dhe ndonjëherë edhe e rrezikshme. Në disa raste, ka shpëtuar njerëz nga mbidoza. U trondita kur e dëgjova këtë, dhe pyetja e parë që më erdhi ndër mend ishte: A do të kisha unë aq dashuri?

Për mua, ajo është një shënjtore e ditëve moderne.