Pashë një dokumentar me titullin “Pra, ku është shtëpia?” Ky dokumentar i dedikohet fëmijëve të kulturës së tretë (TCK), që janë ata fëmijë që rriten në kultura të ndryshme për shkak të punës apo shërbimit misionar të prindërve të tyre. Ishte një temë që më tërhoqi shumë, pasi edhe fëmijët e mi kanë lindur dhe janë rritur jashtë, në disa shtete të ndryshme. Të rinjtë që intervistoheshin në dokumentar ndanin vështirësitë me të cilat ishin përballur gjatë rritjes, por edhe forcën dhe vlerat që kishin fituar në rrugëtimin e tyre. Ata përshkruanin veten duke përdorur fjalë si “pa rrënjë” dhe “të hutuar”, e më pas “shumëgjuhësh”, “multikulturor” dhe “me mendje të hapur”. Në fund, tregonin se ishin përshtatur mirë, të pjekur dhe të aftë të lidhen me më shumë se një kulturë, duke vlerësuar ndryshimet dhe sfidat që kishin përjetuar.
Në përfundim të dokumentarit, të gjithë theksuan se shtëpia nuk kufizohet vetëm me një vend të caktuar, një qytet apo një shtet të vetëm. Shtëpia është aty ku e ke zemrën. Shtëpia është familja, miqtë dhe komuniteti yt.
Kjo më solli ndër mend momentin kur u shpërngula në Ballkan rreth 27 vite më parë. Nuk e njihja gjuhën vendase, dhe duke qenë se kisha tre fëmijë të vegjël, pjesën më të madhe të kohës e kaloja duke u kujdesur për ta. Pas shkollës, i merrja për shëtitje në lagje dhe shpeshherë njiheshim me njerëz të rinj dhe krijonim miqësi të reja. Me kalimin e kohës, fëmijët mësuan rrjedhshëm gjuhën vendase dhe u përshtatën me kulturën lokale. Edhe pse, kur u bëhej pyetja klasike “Nga je?”, ndiheshin pak të hutuar, ata mësuan të përfitonin nga rrethanat e tyre të veçanta dhe e gjetën veten duke vlerësuar ndjesinë e të qenit të ndryshëm.
Për shumë vite, këtu ishte shtëpia jonë. Tani ata janë shpërngulur dhe kanë ndërtuar jetët e tyre në vende të tjera, duke krijuar shtëpitë e reja aty ku janë sot. Në fund të fundit, secili prej nesh është përgjegjës që të përkushtohet për të ndërtuar një shtëpi plot dashuri, kudo që të ndodhemi.
Kjo më shtyu të mendoj edhe për shtëpinë tonë të ardhshme në qiell, kur më në fund do të jemi vërtet në shtëpi! Siç tha Jezusi: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë dhoma, dhe Unë po shkoj t’ju përgatit një vend” (Gjoni 14:2).
Nëse ende nuk e ke pranuar Jezusin si Shpëtimtarin tënd, dhe kështu të kesh të sigurtë shtëpinë tënde në qiell me Të dhe me Zotin, mund ta bësh këtë duke u lutur kështu:
Jezus i dashur, besoj se Ti je Biri i Zotit dhe se vdiqe për mua që, falë sakrificës Tënde, unë të jetoj përgjithmonë në qiell. Të lutem, më fal mëkatet e mia. E hap zemrën time për Ty. Më mbush me Frymën Tënde të Shenjtë. Udhëhiqe jetën time dhe ndihmom të të ndjek Ty. Lutem në emrin Tënd. Amen.
