Revista Time raportoi se “në mbarë botën, më shumë votues se kurrë më parë në histori do të shkojnë në votime [në vitin 2024], pasi të paktën 64 shtete (shtuar Bashkimin Evropian)—që përfaqësojnë rreth 49% të popullsisë globale—pritet të mbajnë zgjedhje kombëtare.” Duke gjykuar nga situata në lagjen time, zgjedhjet u kanë marrë vëmendjen shumë njerëzve, duke nxitur diskutime, hamendësime dhe shprehje të forta mendimesh.
Unë besoj se është e rëndësishme të jemi të informuar rreth çështjeve që ndikojnë jetën tonë të përditshme aty ku jetojmë, të na interesojë kush zgjidhet, të lutemi për drejtuesit vendorë dhe të votojmë nëse kemi mundësi. Por mbi të gjitha, duhet të kujtojmë se “qytetaria jonë është në qiej, dhe prej andej presim Shpëtimtarin, Zotin Jezus Krisht” (Filipianëve 3:20). Profeti Isaia i quajti popullin e zgjedhur të Zotit “të zgjedhur” 1, por ai nuk i referohej një procesi votimi. Zoti është Ai që i përzgjedh—jo ne (Gjoni 15:16).
Ndërsa “ndryshimi” është një nga premtimet më të zakonshme të kandidatëve gjatë fushatave, është mirë të kujtojmë dhe vlerësimin e mbretit Solomon: “Ç’ka qenë, ajo do të jetë; ç’është bërë, ajo do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell” (Predikuesi 1:9). Ai e tha këtë afërsisht 3,000 vjet më parë, dhe historia i ka dhënë të drejtë—me një përjashtim të jashtëzakonshëm.
Zoti Jezus Krisht, “duke qenë gjithmonë Zoti i përsosur, u bë njeri i përsosur dhe realizoi gjënë më të re që ka ndodhur ndonjëherë, të vetmen të re nën diell, përmes së cilës u shfaq qartë fuqia e pafundme e Zotit. Sepse, çfarë është më madhështore sesa Zoti të bëhet njeri?” 2
Çfarë bekimi i paimagjinueshëm është të jesh pjesë e mbretërisë së qiellit, të vetmes që do të mbetet përgjithmonë. Jezusi është i vetmi që mund të thotë: “Ja, Unë i bëj të gjitha gjërat të reja” (Zbulesa 21:5 NKJV) dhe ta realizojë vërtet këtë.
Le të vazhdojmë ta lëshojmë dritën tonë të shkëlqejë (Mateu 5:16) dhe të jemi imitues të Zotit, si fëmijë të dashur (Efesianëve 5:1). “Vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të patundur, të palëkundur, gjithmonë të përkushtuar në veprën e Zotit, duke ditur se mundi juaj tek Zoti nuk është i kotë” (1 Korintasve 15:58).


  1. Shih Isaia 45:4, 65:9, 65:22 NKJV.
  2. “Burimi i Njohurisë” nga Shën Gjoni i Damaskut.