“Mos e gjyko kurrë një njeri derisa të kesh ecur një milje në këpucët e tij.” Nëse kishte dikush që e kuptonte thellësisht këtë të vërtetë, ajo ishte Nënë Tereza. Pasi jetoi mes më të varfërve të të varfërve në Indi për gati 30 vjet, dhe vazhdoi ta bënte këtë edhe për 20 vjet të tjera, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979. Ajo përsëriste shpesh shprehjen: “Jeta është jetë, lufto për të”, dhe theksonte se çdo njeri është i veçantë dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme, pavarësisht se kush është. Vetëm kur mësojmë ta respektojmë këtë të vërtetë, mund të fillojmë t’i ndihmojmë njerëzit të përmirësojnë jetën e tyre.
Shumica e njerëzve do të kënaqeshin të ecnin një milje me një palë këpucë elegante të markave të njohura ose me atlete të cilësisë më të lartë. Por sa prej nesh do të donin të vishnin këpucët e një punëtori të varfër? Kur jetoja në Ugandë, gjeta një palë këpucë të hedhura, të cilat u bënë për mua një simbol i Afrikës dhe i njerëzve të saj, njerëz me zemër të mirë, por që përballeshin çdo ditë me vështirësi.
Nga njollat e çimentos ishte e qartë se i zoti i tyre i fundit kishte qenë një punëtor ndërtimi. Ashtu si shumë të tjerë që shihja atje, ai ndoshta punonte gjithë ditën nën vapën përvëluese, pa asnjë mbrojtje nga dielli, dhe për drekë kishte vetëm disa copa kallami sheqeri të papërpunuar. Ai i kishte veshur ato këpucë derisa vrimat në sholla ishin bërë aq të mëdha, saqë nuk i shërbenin më qëllimit të tyre. Kur erdhi dita që nuk kishte më kuptim t’i vishte edhe një herë, i la pas dhe unë i gjeta. Sigurisht që nuk ishte qëllimi i tij, por ato këpucë më ndihmuan t’i shihja problemet e mia të vogla në një këndvështrim krejt tjetër.
Prandaj nuk pata asnjë hezitim kur, disa kohë më vonë, një djalë i ri trokiti në derën time duke më kërkuar ndihmë. Ai kishte fituar një bursë për të studiuar në një shkollë me konvikt, por kishte një kusht që nuk mund ta përmbushte: nuk kishte këpucë. Më pyeti nëse kisha një palë që mund t’ia dhuroja. Këpucët që kisha veshur në atë çast i rrinin për mrekulli, kështu që ia dhashë.
Jo, një gjest i vetëm mirësie nuk më bëri shenjtor si Nënë Tereza. Megjithatë, besoj se në atë çast përjetova sadopak atë që e kishte shtyrë atë të shërbente me aq përkushtim gjatë gjithë atyre viteve: “Sepse dashuria e Krishtit na nxit” (2 Korintasve 5:14).
