Ishte viti 1996, dhe familja jonë sapo ishte shpërngulur nga siguria e Italisë në Kroacinë e pas-luftës, ende të trazuar dhe të paqëndrueshme, u vendosëm në një apartament të madh në periferi të Rijekës.

Fqinjët tanë, një përzierje azil-kërkuesish, vejanësh, dhe të afërmish të moshuar që kujdesen për fëmijët, prindërit e të cilëve kishin vdekur ose ishin larguar për punë, të gjithë kishin kaluar përvoja tronditëse si rezultat i konflikteve tragjike që ishin sheshuar vetëm kohët e fundit.

Ivan jetonte në katin poshtë nesh. Ai vinte një fashë në njërin sy, nuk dëgjonte mirë, dhe gjithashtu vuante nga dhimbje jashtëzakonisht të forta koke të shkaktuara nga një pjesë predhe, një copëz shrapnel në trurin e tij të cilën doktorët nuk mund ta operonin.

Ivan ishte i martuar dhe kishte dy vajza, por lehtësisht mund të kuptoje se ai po haste vështirësi me jetën e tij familjare. Ai nuk ishte më burri i fortë që rrëzëllente në fotot e dhomës së tij të ndenjjes, por një ushtar i shkatërruar që vuan çrregullimit e stresit pas-traumatik (PTSD), i cili e kalon pjesën më të madhe të kohës duke u kujdesur për fëmijët e tij apo duke vështruar i menduar horizontin.

Djali im i vogël, Xhefi, i cili ishte pesë vjeç në atë kohë, kishte pak frikë nga fqinji ynë, dhe as unë vetë nuk isha e sigurt çfarë të mendoja. Kuptova se nuk i kisha folur ndonjëherë nga afër Ivanit, për shkak të njohurive të cunguara të kroatishtes në atë kohë, por gjithashtu edhe sepse nuk e dija si të përballesha me një vuajtje aq të dukshme.

Një ditë, i shpjegova Xhefit se çfarë po kalonte fqinji ynë i gjorë dhe arsyen pse ai përdorte fashën. E mësova të thoshte, “Molim za vas,” “Do të lutem për ty” në kroatisht, dhe e këshillova t’ia thoshte Ivanit kur ta shikonte herës tjetër.

Nuk do ta harroj kurrë momentin kur takuam Ivanin herën tjetër, kur ky njeri me pamje të egër u përkul të dëgjonte çfarë një djalë i vogël pesë vjeç po i pëshpëriste në vesh. Më pas, ai drejtoi shpinën, dhe mund të shihja lotët që rridhnin në fytyrën e tij, kur ai pëshpëriti “Faleminderit!”.

Nga ai moment, Ivani dhe Xhefi u bënë shokë të mirë, dhe ne shpesh e vizitonim që të këndonim këngë, të lexonim Fjalën e Zotit, dhe thjesht për t’i bërë shoqëri.

Ivani vdiq pas disa kohësh. Ai po luftonte kundër shumë problemeve shëndetësore dhe mungesës së kurajës, por në vitet e tij të fundit ai gjeti ngushëllim dhe qetësi te Jezusi.

Xhefi është tani një burrë i tërë e i bërë, si edhe është bërë tashmë baba, por unë ende mbaj mend me përzemërsi atë ditë që Zoti ndihmoi djalin tim të vogël të zëvendësonte frikën me dashurinë.