Një nga pyetjet kryesore që filozofët dhe teologët janë përpjekur t’i përgjigjen ndër shekuj është: çfarë i jep kuptim jetës? Çdokush dëshiron të jetë i lumtur e i arrirë, por a mund ta themi se çfarë është lumturia e vërtetë dhe cili është burimi i saj?

Grekët e lashtë besonin se lumturia buronte nga brenda dhe kultivohej duke bërë një jetë të denjë. Këtë ata e quajtën eudaimonia, të cilën Aristoteli e përshkruante si pjesëmarrje në aktivitete që mbështeten në talentet tona dhe sfidojnë aftësitë tona, duke vepruar në mënyrë të atillë që të përfitojnë të tjerët dhe jeta jonë të udhëhiqet nga virtytet dhe parimet. Nuk mjafton thjesht të kesh aftësi apo prirje – eudaimonia kërkon që t’i tregojmë ato nëpërmjet veprave.

Në letrën e Palit drejtuar Efesianëve, ai u lutet të Krishterëve të jetojnë një jetë të denjë për thirrjen e tyre. 1 Ai vazhdon të shpjegojë se kjo arrihet duke qenë të përulur, të butë, të duruar, tolerantë, të dashur dhe paqësorë me ata që na rrethojnë.

Të jetosh një jetë plot parime e virtyte është ideale. Fatkeqësisht, si qënie njerëzore që jemi, nuk jemi të përkryer dhe kjo na bën të mos jemi në gjëndje ta arrijmë këtë me forcat tona. Ama si besimtarë, mund të përdorim fuqinë e Zotit për të kapërcyer kufizimet tona. “Është Zoti ai që më rrethon me forcë dhe e bën jetën time të përsosur.” 2

Salomoni, ai që mbahet si njeriu më i mençur që ka jetuar ndonjëherë, zbuloi gjithashtu kotësinë e një jete të jetuar për veten dhe për këtë botë. Por ai e gjeti zgjidhjen. Në fund të kërkimit të tij mbi kuptimin dhe lumturinë në librin e Predikuesit, ai thotë: “Çdo gjë që ju kanë mësuar mund të përmblidhet me pak fjalë: Respektoni dhe bindjuni Zotit! Ky është kuptimi i jetës.” 3

Sa më shumë të mësojmë të mbajmë Zotin dhe mirëqënien e të tjerëve në qendër të mendimeve dhe veprimeve tona, aq më kuptimplotë do jetë jeta jonë.

  1. Shih Efesianëtve 4:1
  2. Psalmet 18:32
  3. Predikuesi 12:13