Te The Sound of Music 1, nëna murgesha i tha Fraulein Marias, kandidates rebele për murgeshë, të largohej nga manastiri për të ndihmuar një familje të madhe pa nënë. Kur ajo kundërshtoi, nëna murgeshë e pyeti, “Cila është gjëja më e rëndësishme që ke mësuar gjatë kohës që ke qenë në manastir?” “Të zbuloj se çfarë është vullneti i Zotit,” u përgjigj Maria, “dhe ta bësh atë me çiltërsi.” Dhe kështu niset, megjithëse goxha e frikësuar, të përmbushte qëllimin e madh që Zoti kishte rezervuar për jetën e saj dhe si përfundim, të gjente fundin e saj të lumtur.

Kur isha e vogël, isha e pështjelluar nga zgjedhja që Jezusi bëri te Kopshti i Gethsemanës. Ai qau, Ai u lut … dhe më pas, Ai u dorëzua, duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë. Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.” 2 Ai nuk kishte pse të vdiste, por Ai e bëri, për hirin tonë. Kam luftuar gjithmonë me këtë koncept, por edhe jam përpjekur ta mësoj.

Dikur, kur sapo kisha lindur fëmijën, bashkëshortit tim i kërkuan të çonte një grup të rinjsh në një seminar tre ditor të krishterë në Kordoba, Argjentinë. Ai ishte një shofer i mirë dhe personi i vetëm te i cili organizuesit dhe prindërit kishin besim për këtë detyrë. Megjithatë, isha e trishtuar nga mendimi të ndahesha pikërisht atëherë nga ai, dhe ia tregova ndjenjat e mia, gjë që na bëri të ndiheshim në siklet. Vetëm kur unë vendosa ta pranoja se ky ishte plani i duhur, shpirti im ra në qetësi, dhe në fund, gjithçka doli më së miri. Udhëtimi i bashkëshortit tim qe një sukses, ndërkohë që për mua u përkujdesën me dashuri disa miq të afërt.

Një udhëheqës i krishterë modern tha se jeta është si një melodi e bukur që luhet gjatë gjithë kohës; neve na duhet thjesht të mësojmë si të jemi në harmoni me të. Siç këndoi Fraulein Maria, “Kodrat janë të gjalla me tingullin e muzikës”— muzika e Krijuesit luhet ngado, dhe ne mund të marrim pjesë në orkestrën e Tij duke vepruar sipas vullnetit të Tij në përditshmëri. Nuk ka rëndësi se çfarë instrumenti luajmë, ose edhe nëse mundemi vetëm të përplasim duart, ne mund të jemi të gjithë pjesë e simfonisë së Tij të mrekullueshme!

  1. Robert Wise. 20th Century Fox, 1965.
  2. Mateu 26:39