Ndonjëherë gjërat që duken të parëndësishme mund të mbartin një kuptim të thellë, nëse ndalemi për t’i menduar me kujdes. Ja një shembull:
Prej dy vitesh po bënim shfaqje kukullash për fëmijë në Indi. Teatri ynë ishte një ndërtim i improvizuar me tuba PVC. Ishte i lehtë për t’u montuar dhe çmontuar, por nuk dukej edhe aq hijshëm. Shpesh na thoshin: “Shfaqja juaj është e mrekullueshme; ju duhet vetëm një teatër i mirë.”
Ne kishim menduar për mënyra se si ta përmirësonim, derisa ndodhi diçka mjaft interesante që na ndryshoi mënyrën e të menduarit.
Një vit më parë, disa miq na kishin treguar se po pastronin garazhin e tyre. Ata kishin gjetur dy paketa të çuditshme me shtylla dhe pëlhura, por nuk e dinin për çfarë shërbenin. Na i ofruan neve. Nuk kishte asnjë udhëzim shoqërues, ndaj qëllimi i tyre mbeti një mister.
Ato paketa ndenjën në magazinën tonë për një vit. Një ditë, vendosëm t’i nxirrnim dhe të shihnim se çfarë mund të ndërtonim me to. Si fëmijë që luajnë me tulla, provuam e provuam, derisa papritur, për habinë tonë, filloi të marrë formë një strukturë e vërtetë — një teatër kukullash profesional, me vlerë qindra dollarë!
Ne kishim vite që përpiqeshim me ndërtimin tonë të vjetër, ndërsa gjithë kohën, ai teatër i mrekullueshëm kishte qenë aty, në një qese, duke pritur të zbulohej.
Sa shpesh ndodh që kemi në duar diçka që do ta bënte jetën më të lehtë, por nuk e kuptojmë? Përpiqemi ta rregullojmë të vjetrën, në vend që të lirojmë dorën dhe të zbulojmë diçka më të mirë që po pret për ne.
Nga kureshtja, doja të dija si kishte përfunduar ajo qese me kukulla aty. Pas pak kërkimesh, zbulova se disa vite më parë, një grup nga SHBA kishte ardhur me idenë për të bërë shfaqje kukullash. Pasi hoqën dorë, e kishin lënë çantën në atë garazh. Disa vite më vonë ajo ra në duart tona, por desh edhe pak eksperimentim për të kuptuar vlerën që kishte.
Sa herë janë zbuluar kryevepra arti apo dorëshkrime të vlefshme pas shumë vitesh harrimi në ndonjë papafingo? Pronari mendonte se kishte diçka të parëndësishme, ndërsa në të vërtetë mbante një thesar. Edhe ne shpesh kemi thesare të mëdha në jetën tonë, por nuk i vlerësojmë si duhet. Mund të jenë familjarët apo miqtë tanë, të cilët ndoshta i kemi lënë pas dore, ose mund të jetë Fjala e shkruar e Zotit, që po mbledh pluhur në raft, duke pritur të hapet për të na frymëzuar dhe për të na ndryshuar jetën.
Për të shfrytëzuar plotësisht burimet që kemi, ndonjëherë duhet mundim dhe pak provë-eksperimentim, për të parë si përshtaten pjesët që krijojnë një tërësi të bukur. Por kur arrijmë ta bëjmë këtë, jeta jonë mund të marrë një drejtim krejt të ri.
Disa ditë më pas, bëmë një shfaqje kukullash, dhe organizatorja tha: “Kisha dëgjuar se ishit të mirë, por pasi ju pashë, dua të them se ishit të mrekullueshëm! Dhe sa shumë më pëlqeu teatri juaj!”
Unë buzëqesha, duke menduar për historinë e atij teatri që për pak na kishte shpëtuar krejt nga duart.
