Ndërsa lëmë pas faqet e së kaluarës, mund të shikojmë drejt së nesërmes me shpresë dhe pritshmëri. Mund të tingëllojë tepër optimiste, por unë parapëlqej ta shoh të ardhmen nga kjo këndvështrim, sesa të zhgënjehem e të humbas zemrën. Shumë nga qëndrimi ynë i përgjithshëm varet nga drejtimi në të cilin po shohim. Po ta soditësh gjendjen e botës sot, duket sikur errësira është e thellë, por po ta ngresh shikimin lart, drita është shumë më e ndritshme!
Edhe pse nuk e dimë çfarë na rezervon e ardhmja, dimë Kush e mban të ardhmen në dorë. Kur mendojmë për të gjitha premtimet që Krijuesi ynë na ka dhënë në Bibël, ato na japin sigurinë se gjithçka është nën kontrollin e Tij të përsosur. Ai na thotë se na do, se do të na mbrojë, do të na udhëheqë dhe do të na japë paqe.
Shpresa jonë më e madhe qëndron te njohja e Jezusit — Ai që na njeh më mirë se kushdo dhe kujdeset më shumë për ne. “Krishti në ju, shpresa e lavdisë” (Kolosianëve 1:27). “Zoti ka dhënë si premtimin, ashtu edhe betimin e Tij. Këto të dyja janë të pandryshueshme, sepse është e pamundur që Zoti të gënjejë. Prandaj ne që kemi vrapuar tek Ai për strehë, mund të kemi besim të fortë ndërsa mbahemi pas shpresës që na është vënë përpara. Kjo shpresë është një spirancë e fortë dhe e besueshme për shpirtrat tanë; ajo na çon përtej perdes, në vendin më të shenjtë të pranisë së Zotit” (Hebrenjve 6:18–19).
Gjatë gjithë shërbesës sime misionare, dëshmia e Adoniram Judson ka qenë një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua. Ai u dërgua nga Amerika e Veriut në Birmani për të shpallur Ungjillin. Pas shumë vitesh pune, pa gjithë mundin e jetës së tij të shkatërrohej nga zjarri, familjen e rrënuar dhe vetë kaloi kohë në burg. Një gazetar e pyeti Judsonin: “Çfarë shprese ke për Birmaninë pas gjithë këtyre fatkeqësive?” Adonirami u përgjigj thjesht: “E ardhmja është po aq e ndritshme sa premtimet e Zotit.”
Edhe ne mund të shikojmë përpara me gëzim, sepse mundësitë e pashfrytëzuara ende na presin. Ndoshta shumë nga gjërat që nuk arritëm t’i realizonim dje, mund t’i përmbushim sot, nesër apo më vonë. Kur durimi bashkohet me shpresën, mund të ndodhin mrekulli.
Këto shpresa e pritshmëri mund të mos marrin formë menjëherë, por nëse sytë tanë mbeten te Jezusi, atëherë ylberi i premtuar do të shfaqet në fund të stuhisë.
