Së fundmi m’u kujtua një këngë që e këndoja kur isha fëmijë, e quajtur “Sot, jo nesër”. Është një tregim i shkruar bukur për një njeri me qëllimet më të mira. Fillon kështu:
Ai planifikonte të ishte gjithçka që një i vdekshëm mund të ishte,
Nesër.
Askush s’do të ishte më i sjellshëm apo më trim se ai,
Nesër.
Tregimi vazhdon duke shpjeguar të gjitha veprat e mëdha dhe të mrekullueshme që ai planifikonte të bënte—nesër. Një mik i sëmurë që kishte nevojë për ndihmë, të varfrit e qytetit të tij që po luftonin për të mbijetuar, letra për të shkruar, ndryshime për të bërë—çdo herë gjente një justifikim për t’i shtyrë për nesër.
“Është për të ardhur keq,” pranonte ai, “por sot jam i zënë
Dhe s’kam asnjë minutë për t’u ndalur rrugës.”
Më shumë kohë do të kishte për t’u dhënë të tjerëve, thoshte ai,
Nesër.
Pastaj, pasi e shpërdoroi kohën e tij, vdiq—ashtu siç do të vdesim të gjithë një ditë—dhe gjithçka që mbeti nga jeta e tij ishte mali i gjërave që kishte ndërmend të bënte, nesër. Ky njeri mund të kishte bërë një ndryshim, qoftë edhe të vogël, po të kishte pasur ndonjëherë dëshirën të bënte të paktën disa nga gjërat e mëdha që thoshte se do t’i bënte—nesër.
Pastaj kënga vazhdon duke thënë:
Nesër kurrë nuk vjen,
Sepse kur mbërrin, është sot.
Sa e vërtetë! Ne që presim një rast më të mirë, një mundësi më të qartë, ose një moment më pak të ngarkuar për të ndihmuar dikë, mund të mos i bëjmë kurrë veprat kuptimplota që kemi ndër mend.
Vargjet e fundit të këngës janë vërtet të bukura:
Mos e shty për nesër të mirën që mund ta bësh sot,
Për t’ia lehtësuar barrën dikujt në udhën e jetës.
Ka kaq shumë që kanë nevojë për dashurinë tënde të ëmbël, dhe hej,
Ata kanë nevojë për të sot,
Jo nesër.
1
Nëse vlerësojmë vetëm gjërat e së tashmes, mund të mos gjejmë kurrë kohë për të investuar në gjërat e jetës së përjetshme. Me trishtim, gjërat me vlerë të përjetshme shpesh janë pikërisht ato që i vendosim në listën “për nesër”. Jeta duket kaq urgjente, dhe puna, shoqëria, familja dhe përgjegjësitë na mbushin mendjen, duke na mbajtur të zënë me veprime që shpesh nuk do të zgjasin.
Duke lexuar Biblën dhe duke u rritur në marrëdhënien tonë me Jezusin, mund të fitojmë një kuptim shumë të qartë të përparësive tona qiellore. Sapo t’i zbulojmë ato, varet nga ne të investojmë kohën tonë duke i jetuar. Sot, jo nesër!
- Vargje të bazuara në poezinë “Tomorrow” nga Edgar A. Guest (1881–1959) ↑
