Djali im më dhuroi një bimë të mrekullueshme hibiskusi. Kishte një lule rozë shumë të bukur dhe disa sytha të tjerë që sapo po çelnin. Sa herë që e shikoja, më mbushte me gëzim!
Pas disa ditësh, lulja e hodhi petalet e saj, dhe menjëherë më pas edhe sythat filluan të bien. Kërkova pak informacion dhe mësova se hibiskusi është një bimë shumë delikate. Mendova se ndoshta kishte nevojë për më shumë dritë, ndaj e nxora jashtë, në tarracën time të vogël. Aty të gjitha bimët e tjera dukeshin të lumtura nën diellin e bollshëm, në flladin e butë, madje edhe në erërat apo shirat më të fortë. Shpresova që edhe hibiskusi im ta pëlqente këtë mjedis.
Çdo ditë kujdesesha për të, i jepja ushqim për bimë dhe e ujisja rregullisht. Filloi të forcohej, por ende nuk çelte. Pas disa muajsh, u shfaqën disa sytha të rinj dhe, shumë shpejt, disa lule të mëdha e rozë lulëzuan plot hijeshi. Oh, çfarë gëzimi! E falënderova Zotin dhe i bëra disa foto për t’ia dërguar djalit. Që nga ajo ditë, janë çelur shumë sytha të tjerë dhe secili është kthyer në një lule të bukur. Një mrekulli e vërtetë e jetës!
Edhe jeta jonë nganjëherë është ashtu. Shpesh kemi nevojë për kujdes të veçantë. Ndonjëherë duhet të pushojmë, të ushqehemi më mirë, apo të marrim dashuri e përkujdesje nga dikush që na do — një mik, një i afërm, apo edhe mjekë e infermierë. E ndjej shumë këtë, sepse më ka ndodhur disa herë, dhe gjithmonë dashuria, vëmendja dhe lutjet e të dashurve më kanë ndihmuar të rimëkëmbem.
Të gjithë përjetojmë gëzime dhe sprova. Por besoj se këto përvoja më kanë bërë një person më të fortë, më të dhembshur dhe më të kujdesshëm ndaj të tjerëve.
Ne kemi gjithashtu një Atë dashur që kujdeset për ne, që dëgjon lutjet tona dhe që nuk na braktis kurrë. Kemi shpresën për ditë më të mira — shpresën se, pas një periudhe pushimi, do të rikthehen forca dhe gëzimi. Ashtu si hibiskusi im i bukur, edhe ne do të lulëzojmë sërish dhe do të shpërndajmë dashuri e gëzim te të dashurit tanë, miqtë dhe komuniteti përreth nesh.
