Kur isha e re, stresohesha sa herë që përballesha me ndonjë pengesë ose vështirësi, sidomos kur dilnin probleme të mëdha. Bashkëshorti im ishte gjithmonë optimisti i familjes dhe më kujtonte shpesh një thënie të njohur të Mark Twain-it, që thotë pak a shumë: «Kam kaluar shumë shqetësime në jetën time, por shumica e tyre nuk ndodhën kurrë!»
Para disa kohësh mora një shumë parash nga shitja e pronës së prindërve të mi. Mjaftonte për të blerë një shtëpi të vogël, por pasi kërkova për dy muaj, nuk gjeta asgjë në lagjen që dëshiroja dhe brenda mundësive që kisha. Me nxitjen e djalit tim të madh, vendosa të blija një truall, që të ndërtoja shtëpinë që kisha ëndërruar. Jo shumë kohë më vonë, të premten, gjeta një parcelë shumë të bukur dhe u mora vesh me pronarin që ta përfundonim marrëveshjen të hënën.
Fatkeqësisht, ai më telefonoi të dielën dhe më tha se trualli ishte shitur. Më kërkoi ndjesë dhe shpjegoi se prona ishte nxjerrë edhe në një agjenci imobiliare, por për muaj të tërë askush nuk kishte treguar interes. Pastaj, pikërisht atë të shtunë, agjencia e kishte shitur. U zhgënjeva shumë, por vazhdova t’i besoja Zotit. Pas një jave ai më telefonoi përsëri dhe më tha se një person që do të blinte një truall të ngjashëm në fund të së njëjtës rrugë ishte tërhequr nga blerja. Kështu, unë mund ta blija atë truall me të njëjtin çmim si i pari.
E bleva atë tokë dhe sot jetoj me gëzim në shtëpinë që ndërtova aty. Por kjo nuk është fundi i historisë. Më vonë mora vesh se trualli i parë kufizohej me një pronë të madhe që nisi të jepej me qira për festa që vazhdonin gjatë gjithë natës. Familja që e kishte blerë atë truall u detyrua të shpërngulej dhe ta shiste me humbje. Ajo që në atë kohë m’u duk si një lajm i keq, doli të ishte përkujdesja e Zotit, e fshehur pas rrethanave.
Duke menduar për këtë, më erdhi në mendje se jeta mund të krahasohet me shinat e hekurudhës. Treni ka nevojë për të dyja shinat që të ecë përpara. Njëra përfaqëson çastet e lumtura dhe periudhat e lehta, ndërsa tjetra vështirësitë dhe dhimbjet që na ndihmojnë të rritemi e të piqemi. Të dyja janë të domosdoshme për përparimin dhe përmbushjen e jetës. Treni kalon nëpër lugina e male, ura e tunele, shkretëtira e oaze, derisa arrin në destinacionin e tij përfundimtar.
Të vazhdosh përpara nuk është thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Ndonjëherë nuk e shohim qartë rrugën që kemi përpara dhe na duhet t’i besojmë Zotit që të na udhëheqë. Por udhëtimi ia vlen.
