Një mike më telefonoi plot gëzim. Më në fund e kishte kaluar provimin e patentës. Kishte këmbëngulur mes shumë provimesh që i kishte kaluar pothuajse, por jo plotësisht, dhe instruktorësh të rreptë, derisa më në fund fitoi patentën e saj. Kur po kalonte periudhën e atyre “dështimeve”, nëna ime e kishte inkurajuar duke i thënë: “Askush nuk të pyet sa herë të është dashur ta japësh provimin e patentës. Sado herë të provosh, sapo ta marrësh patentën, ajo është e jotja.”

Nuk e kisha parë më parë këmbënguljen nga ky këndvështrim. Por është e vërtetë. Askush nuk do të të pyesë sa ëmbëlsira u dogjën para se të përgatisje atë të shijshmen që po u shërben. Nëse arrin në majën e Everestit, ke arritur në majë. Dështimet gjatë rrugës nuk ia zbehin aspak vlerën suksesit përfundimtar.

Ky është një mendim shumë ngushëllues. M’u kujtua përsëri kur po mendoja për poezinë e E. A. Guest, “Nuk mund të bëhej.”

Ai iu përvesh punës me një buzëqeshje të lehtë
në fytyrë. Nëse shqetësohej, nuk e tregonte.
Filloi të këndonte ndërsa përballej me atë gjë
që thuhej se nuk mund të bëhej, dhe ai e bëri!

Për herë të parë vura re se poezia nuk thotë se ai e bëri menjëherë. Gjithmonë e kisha imagjinuar si një histori të shpejtë: “Një njeri sheh një mal, të gjithë i thonë se është e pamundur, ai i hyn punës dhe ja ku është, fiton!” Kjo ishte pamja që kisha krijuar gjithmonë në mendjen time për këtë poezi. Por tani e shoh ndryshe. Ndoshta përballja e tij me atë sfidë zgjati javë, muaj ose edhe vite. Megjithatë, asgjë nga kjo nuk ndryshoi rezultatin përfundimtar: ai e bëri! Dhe kjo i thotë të gjitha.

Ndonjëherë, kur jam përballur me shumë pengesa dhe dështime, më është dukur e vështirë të shoh vlerën e të provuarit përsëri. Suksesi dhe gjithçka që ai mund të sjellë mund të duken si një ëndërr e paarritshme, nga e cila është më mirë të heqësh dorë. Sa herë që mikja ime merrte një rezultat tjetër “pak edhe kalove, por jo ende” në provimin e patentës, ndihej sikur nuk ia vlente. Megjithatë, ajo provoi përsëri. Pastaj edhe një herë. Derisa, më në fund, mori patentën dhe atëherë e kuptoi se ia kishte vlejtur çdo përpjekje.

Ne mund të dështojmë ose ta zhgënjejmë veten. Edhe të tjerët mund të na zhgënjejnë ose të përpiqen të na ndalojnë. Por ne gjithmonë mund të provojmë përsëri. Kemi të drejtën, të dhënë nga Zoti, të vazhdojmë të përpiqemi. “I drejti mund të bjerë shtatë herë, por ngrihet përsëri” (Fjalët e Urta 24:16). Zoti na ka dhënë privilegjin për të zgjedhur dhe ne gjithmonë mund të zgjedhim t’i japim vetes edhe një mundësi tjetër.

Ne kemi lejen për të provuar.