Jezusi u tha dishepujve të Tij: “Këto gjëra jua kam thënë që në mua të keni paqe. Në botë do të keni shtrëngime. Por merrni zemër, unë e kam mundur botën” (Gjoni 16:33).
Jam e sigurt se për dishepujt ishte e vështirë të largonin gjithë zhurmën e ditëve të tyre. Kishte arrestime, ekzekutime, sëmundje, vuajtje, trazira politike, varfëri, padrejtësi, të gjitha sfidat që kanë qenë gjithmonë pjesë e historisë njerëzore. Besoj se zemrat e tyre ishin të trazuara, ashtu siç janë shpesh edhe tonat. Prandaj Jezusi u tha: “Mos u trazoftë zemra juaj dhe mos u frikësoni” (Gjoni 14:27).
Nuk mund të mos pyes veten: si mund të mos jetë e trazuar zemra me gjithë çfarë po ndodh përreth nesh?! A të ndodh edhe ty ta mendosh këtë? Mua po. Kam qenë duke lexuar librin e Veprave dhe është mahnitëse të shohësh shndërrimin e dishepujve. Nga frika dhe dëshpërimi pas kryqëzimit të Jezusit, ata kaluan në guxim të hapur, duke sfiduar ata që u kundërviheshin dhe duke mos u ndalur para asgjëje për t’i treguar botës se Jezusi kishte përmbushur premtimin e shpengimit. Çfarë ndryshoi? Jezusi ishte ringjallur! Kur kjo pjesë e mozaikut u vendos në vendin e vet, gjithçka që Jezusi kishte thënë dhe bërë mori kuptim të plotë.
Ata e panë qartë se Jezusi fiton! Kishin mjaftueshëm siguri për të përballuar gjithçka që po ndodhte në botën e tyre me paqe në zemër dhe për t’i çuar të tjerët te Jezusi, pavarësisht kundërshtimeve. Paqja e tyre vinte nga bindja se Jezusi kishte fituar.
Po këtu e gjejmë edhe ne paqen tonë, dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Gjërat që ndodhin në botën tonë, konfliktet politike, fatkeqësitë natyrore, krizat shëndetësore apo tragjeditë personale, gjithmonë do ta kërcënojnë paqen tonë. Ne mund të zgjedhim të zhytemi më thellë në frikë ose më thellë në besim.
Ne luftojmë të njëjtat beteja shpirtërore që dishepujt kanë luftuar që nga ditët e Jezusit. Satani e sulmon besimin tonë, sepse pikërisht besimi ynë e mposht atë. Ne mund të veshim armaturën e Zotit (Efesianët 6:10–17). Kemi të njëjtat mjete që kishin Pjetri dhe Pali, prandaj mund të kemi të njëjtën siguri që kishte Gjoni kur tha: “Kjo është fitorja që e ka mundur botën: besimi ynë” (1 Gjoni 5:4).
