Krishtlindja në familjen tonë është gjithmonë një lloj përzierjeje – në gjërat që bëjmë, ushqimet që përgatisim dhe mënyrat si festojmë. Çdo vit duket ndryshe, dhe kjo është një nga gjërat që më pëlqen më shumë. Megjithatë, ka tre tradita që i presim me padurim gjatë gjithë vitit.
Fëmijët e mi e nisën vetë një nga këto tradita, dhe është e preferuara ime! Gjatë vitit secili lë mënjanë pak para nga xhepi apo nga të ardhurat e tyre të vogla, dhe deri në fund të vitit grumbullojnë një shumë të mjaftueshme. Zgjedhin një ditë dhe shkojnë te një organizatë bamirësie lokale që siguron dhurata për familjet në nevojë. Fëmijët e përfshirë në program plotësojnë lista dëshirash me gjërat që u duhen ose i dëshirojnë. Fëmijët e mi marrin sa më shumë lista që munden dhe kalojnë ditën duke blerë dhurata për ta.
T’i shoh sa gëzohen duke u sjellë lumturi të tjerëve më mbush zemrën! Dhe fakti që e bëjnë së bashku e bën edhe më të veçantë. Shpresoj që një ditë ta përfshijnë edhe fëmijët e tyre në këtë traditë.
Kemi gjithashtu një grup çiftesh që takohen çdo javë prej më shumë se një dekade. Shumica prej nesh nuk kanë familjet e zgjeruara afër, ndaj kemi krijuar një familje të vogël mes nesh. Fëmijët tanë janë bërë “kushërinj” për njëri-tjetrin, dhe prindërit “halla, teze, xhaxhallarë e dajë”. Çdo vit organizojmë një festë të Krishtlindjes të gjithë së bashku. Secili sjell diçka për darkë që të mos rëndohet askush. Qëllimi ynë është të festojmë këtë miqësi të madhe e të bukur me lojëra, dhurata të vogla, muzikë dhe lutje për njëri-tjetrin. Edhe fëmijët tanë mezi e presin këtë mbrëmje, dhe kjo e bën akoma më të dashur për ne.
Së fundi, por jo nga rëndësia, organizojmë një festë në shtëpi për një grup të vogël miqsh të vjetër. Njihemi prej vitesh dhe të gjithë e presim me dëshirë këtë natë kur takohemi, rrimë bashkë, ndajmë të qeshura, mbështesim njëri-tjetrin, dhe ndonjëherë, derdhim edhe ndonjë lot. Kjo mbledhje është bërë një pikë referimi për të gjithë ne. Nuk kërkon shumë përgatitje, veçse vendosmërinë për ta mbajtur gjallë.
Do të thoja se tradita jonë kryesore është të ndajmë këtë periudhë me njerëzit rreth nesh. Lidhjet me kuptim kanë rëndësi! Nuk jemi krijuar për të ecur në jetë të shkëputur nga miqtë. Dashuria jonë për Zotin dhe besnikëria ndaj Tij shprehen kryesisht përmes marrëdhënieve tona. Uroj që edhe traditat tuaja të Krishtlindjes të përfshijnë kohë të veçantë me njerëzit tuaj, dhe dashuria e miqësia që ndani të pasqyrojnë dashurinë e Krishtit për ju!
