Po prisja që një mik të vinte të më merrte dhe vendosa ta kaloja kohën në një restorant të qetë. Atje, mbi një xham dritareje, pashë një bletë që përpiqej të shpëtonte nga burgu i saj i padukshëm. Ajo fluturonte lart përgjatë xhamit derisa lodhej aq shumë sa binte përsëri poshtë, vetëm për ta përsëritur të njëjtën përpjekje pa pushim.
Ajo që më bëri përshtypje ishte se vetëm pak centimetra në të djathtë të saj ndodhej një derë e hapur. Por bleta thjesht nuk e shihte. Ndoshta nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend se mund të shpëtonte duke fluturuar horizontalisht. Nga këndvështrimi i saj, bota jashtë dhe liria dukeshin kaq pranë, kaq reale, por megjithatë të paarritshme.
Vetëm pas rreth dhjetë minutash fluturimi të ethshëm dhe rënieje të vazhdueshme, bleta më në fund ia doli të dilte. Si? Ishte frika që e shtyu. Dikush nga jashtë goditi lehtë xhamin dhe ajo u ndje e kërcënuar. Nuk e dinte se xhami e ndante nga ai që e perceptonte si armik. Duke u përpjekur t’i shpëtonte “grabitqarit”, ajo doli nga rutina e saj, ndryshoi drejtimin dhe fluturoi drejt derës së hapur.
A je ndier ndonjëherë si ajo bletë? Sikur je i bllokuar në një rutinë nga e cila nuk gjen dot dalje? Sikur përgjigjja që kërkon duket kaq e thjeshtë, por njëkohësisht kaq e paarritshme?
Ndonjëherë Zoti lejon ose sjell në jetën tonë situata që na duken si probleme të mëdha ose pengesa. Por ndoshta Ai po mbyll një derë për të na drejtuar drejt një tjetre, asaj që do të na çojë në rrugën e duhur.
