“Këtë shpresë e kemi si një spirancë të shpirtit, të sigurt dhe të palëkundur. Ajo hyn përtej perdes, në Shenjtëroren e Brendshme.” (Hebrenjve 6:19)

Ka raste kur mbetem e mahnitur nga bukuria e Fjalës së Zotit. Sa herë që lexoj këtë varg, shpirti im qetësohet. Çfarëdo trazire që të ketë, të mëdha apo të vogla, humbasin fuqinë e tyre.

Mendo pak për një spirancë. Qëllimi i saj është ta mbajë anijen të lidhur fort në vend, që të mos e marrë era apo rryma. Spiranca nuk është aty për ta ndalur stuhinë. Detyra e saj është ta mbajë anijen të palëkundur gjatë stuhisë ose kur deti është i trazuar.

Edhe në jetën tonë shpirtërore, shpresa është ajo që na mban të qëndrueshëm. Pavarësisht se çfarë ndodh në botë ose në jetën tonë, ne mbështetemi te shpresa që kemi në Jezusin. Shpresa jonë nuk është se Jezusi do t’i largojë gjithmonë stuhitë e jetës, por se Ai do të na mbajë të palëkundur ndërsa kalojmë përmes tyre.

Shenjtërorja e Brendshme ishte vendi në tempull ku mund të hynin vetëm kryepriftërinjtë, dhe vetëm pasi kishin kaluar rite të shumta pastrimi. Atje ata ofronin flijime për veten dhe për popullin, pastaj ndërmjetësonin para Zotit në favor të popullit.

Jezusi është Kryeprifti i përsosur dhe i përjetshëm. Pikërisht këtë thekson Hebrenjve 7:27 kur thotë: “Ai nuk ka nevojë, si kryepriftërinjtë e tjerë, të ofrojë flijime çdo ditë, së pari për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit, sepse këtë e bëri një herë e përgjithmonë, kur flijoi veten.” Po në këtë kapitull thuhet gjithashtu se Jezusi “mund t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Zotit nëpërmjet Tij, sepse Ai jeton gjithmonë për të ndërmjetësuar për ta” (Hebrenjve 7:25).

Kur i bashkojmë të gjitha këto të vërteta, mund të prehemi me siguri në faktin se Jezusi është gjithmonë në praninë e fronit të Zotit, duke ndërmjetësuar për ne. Dhe kjo është një shpresë mbi të cilën mund të mbështetemi çdo ditë, në çdo çast.

Nëse nuk e ke pranuar ende Jezusin si Shpëtimtarin tend mund ta bësh këtë duke u lutur me këtë lutje:

I dashur Jezus, besoj se Ti je Biri i Zotit dhe se vdiqe në kryq për mua, që nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes Sate unë të kem jetën e përjetshme me Ty në qiell. Të lutem, m’i fal mëkatet e mia. Hap derën e zemrës sime për Ty. Mbushmë me Frymën Tënde të Shenjtë dhe më ndihmo të jetoj në një mënyrë që të të sjellë lavdi Ty. Drejtoje jetën time dhe më ndihmo të të ndjek çdo ditë. Në emrin Tënd lutem. Amen.