Unë dhe bashkëshorti im kemi filluar kohët e fundit të shkojmë rregullisht në palestër. Për vite me radhë, jam ushtruar në shtëpi, ku kam mbledhur ca pajisje të thjeshta për stërvitje. Kjo është hera e parë që shkel në një palestër të vërtetë dhe, të them të drejtën, më duket paksa e frikshme. Por javët e fundit kam vënë re që jam përmirësuar në formën time fizike, përmirësim që vjen vetëm nga përkushtimi dhe fakti që nuk heq dorë.
Ka disa teknika në palestër që do të doja t’i zotëroja, dhe më duket se do më duhet ca kohë deri sa të arrij forcën dhe aftësitë që kam në mendje. Madje disa prej pajisjeve ende nuk i kam provuar, prandaj kjo do të jetë një rrugëtim i gjatë. Një stërvitje çdo herë.
Por si lidhet e gjitha kjo me besimin tim? Lidhet me pjesën që duhet të jesh aty. Një nga gjërat që më duket se na duhet të gjithëve, ne që duam Jezusin, është të kërkojmë thellësi në marrëdhënien tonë me Të, ta njohim vërtet. Dhe mënyra e vetme për ta arritur këtë është të kesh një marrëdhënie të përditshme e të vazhdueshme me Të.
Por ndoshta, kur afrohesh te Jezusi, ndihesh pak si unë në palestër – jashtë vendit. Ndoshta kur merr në dorë Biblën, të duket si një libër i madh që është vështirë ta kuptosh. Ka njerëz përreth teje që duken sikur dinë të luten me lehtësi, i kuptojnë më mirë shkrimet, janë më afër Zotit – dhe ty të duket një rrugë e gjatë e lodhshme.
Unë po të këshilloj vetëm këtë: Fillo.
Trajnerët më të njohur e thonë shpesh që gjëja më e mirë që mund të bësh në palestër është të zotërosh pesë a gjashtë ushtrime bazë, t’i bësh ato mirë, dhe avash-avash të shtosh vështirësinë. Lëri mënjanë trendet dhe reklamat, përqendrohu te baza. Dhe një këshillë më e mirë për jetën e besimit nuk mund të kishte.
Praktika ime është e thjeshtë. Çdo mëngjes dal jashtë me filxhanin e kafes dhe ulem në oborrin tim, që nuk është aq i bukur sa mund të doja. Lë mënjanë telefonin dhe lexoj pak nga Bibla ose një libër frymëzues. Lutem për ca minuta, rrëfej mendimet e mia dhe rri në qetësi. Ndonjëherë rri më pak se dhjetë minuta, ndonjëherë qëndroj më gjatë. Kështu filloj ditën, duke i dhënë vetes mundësinë që ta njoh Jezusin edhe pak më shumë, duke ia dorëzuar mendimet e mia Atij, sado të çrregullta të jenë. Në këtë qetësi, afërsia jonë rritet çdo ditë.
