Gjatë një vizite të fundit familjare, dola për shëtitje në lagje me nipin tim dhe pata një mundësi të artë për të dëgjuar disa nga dëshirat dhe mendimet e tij më të thella. Ky moment më dha mundësinë ta njihja më mirë dhe të përjetoja një afërsi dhe shoqëri të paçmuar me të. E njëjta gjë ndodh kur ecim bashkë me Zotin. Ne zbulojmë vullnetin e Tij për ne, ndjejmë praninë, afërsinë dhe sigurinë që na jep, e kjo thellon njohjen tonë me Të.
Këtë muaj, revista Activated hedh dritë mbi mënyra të ndryshme të jetesës pranë Zotit—jo “larg” (Mateu 26:58), por krah për krah me Të, duke biseduar e bashkëndarë, ndoshta duke planifikuar së bashku apo thjesht duke shijuar shoqërinë e Tij. Për të qenë në hap me Zotin, duhet të ruajmë dialogun me Të edhe në veprimet e vogla të përditshme, siç reflektohet edhe në artikujt e këtij numri.
Kur Bibla flet për “ecjen”, zakonisht i referohet mënyrës së jetesës. Nëse duam të jetojmë sipas parimeve të krishtera, do të ecim me Jezusin, ta ndjekim dhe t’i kushtohemi Atij. Të ecësh me Zotin duhet të kthehet në një ushtrim të përditshëm, nëse dëshirojmë të ruajmë bashkësinë e ngushtë me Të. Në artikullin e faqes 3, Marie Alvero e krahason këtë me stërvitjen e rregullt në palestër. Kjo do të thotë gjithashtu të përlëvdojmë Zotin çdo ditë, siç theksohet në shkrimin kryesor nga faqet 4–6.
Të ecësh me Zotin do të thotë të jesh në harmoni me Të, që të ndjekësh të njëjtin drejtim (Amosi 3:3). Dhe për ta shijuar plotësisht këtë përvojë, duhet të jemi të përulur (Mika 6:8).
Termi biblik “të ecësh” sjell ndër mend edhe një udhëtim shpirtëror ose një pelegrinazh—është më shumë sesa të thuash: “Po dal pak shëtitje, kthehem shpejt.” Do të thotë që zemra jonë është e përkushtuar në një udhëtim, krah për krah me Jezusin, duke marrë forcë çdo ditë, derisa ta takojmë përballë përballë Atë në parajsë.
Gjithë ky “ecje” ndoshta mund të duket lodhëse, por, në të vërtetë, ecja me Zotin sjell pushim dhe freskim. Si Bariu i mirë, Ai na prin në ujëra të qeta (Psalmi 23:1–2). Është një aventurë magjepsëse! Sigurisht që ka sfidat e saj, por Zoti premton të na japë forcë, udhëzim dhe mençuri gjatë këtij rrugëtimi.
Urojmë që artikujt e këtij numri t’ju sjellin bekim ndërsa ecni çdo ditë me Jezusin.
