Pas darkës në natën e ndërrimit të viteve, u ulëm dhe filluam të flisnim për mënyrën si do të donim të festonim Vitin e Ri. Vajza ime tha se do t’i pëlqente të ndiznim një zjarr, dhe shpejt kishim një vatër të ndezur në oborrin pas shtëpisë, nën qiellin e butë të Teksasit Jugor. Rreth zjarrit, biseduam për vitin që lamë pas dhe ëndrrat e planet tona për të ardhmen. Ishte një mënyrë e bukur për ta mbyllur një vit dhe për t’u përgatitur për tjetrin.
Herë pas here, zjarri fillonte të zbehej, dhe dikush prej nesh nxitohej drejt grumbullit të druve për të marrë copa të reja që t’i hidhte mbi zjarr. Kemi pasur një vjeshtë me shi dhe një ditë të fundit me lagështi, kështu që drutë e reja tymosnin për pak, derisa nxehtësia e qymyrit i thante dhe ato merrnin flakë sërish.
Ky proces i thjeshtë më bëri të mendoj për mënyrën si Zoti vazhdon të veprojë në jetën tonë — duke sjellë ndryshime, duke shtuar gjëra të reja, dhe duke na trazuar që flaka e Frymës së Tij të vazhdojë të ndriçojë me forcë. Nëse i rezistojmë ndryshimeve ose nuk duam që diçka e re të hyjë në jetën tonë, flaka jonë do të shuhet shpejt. Mund të shkëlqejmë për një kohë, por pa rigjallërim do të fillojmë të venitemi. Ndoshta nuk na pëlqen “trazimi” i qymyreve apo drutë e reja që duken sikur na bëjnë të tymosim e të vështirësohemi për t’u ndezur, por pikërisht kjo na nevojitet që flaka jonë të mbetet e gjallë.
Ndërsa vështroja flakët që vallëzonin, ndjeva dëshirën të flakja tutje hezitimin ndaj ndryshimit. U luta të jem e hapur ndaj gjërave që Zoti zgjedh të sjellë në jetën time. Dua që këtë vit flaka e Frymës së Shenjtë të Zotit të digjet fort në mua — për të më mbajtur të ngrohtë shpirtërisht dhe për të tërhequr të tjerët drejt bukurisë së dashurisë së Tij të ngrohtë.
