Unë dhe bashkëshorti im na pëlqen të bëjmë shëtitje të gjata. Dalja jashtë për të shijuar bukurinë e natyrës, në çdo stinë, është bërë pjesë e ushtrimeve tona të përditshme. Shpesh ecim dorë për dore, dhe kjo na sjell gëzim dhe kenaqësi të dyve.
Kohët e fundit kam menduar shumë për duart tona dhe sa dhuratë e mrekullueshme janë. Me duart tona mund të shtrihemi për të ndihmuar dikë që ka nevojë. Mund të prekim me butësi dhe, pa fjalë, të themi: “Të vlerësoj shumë dhe jam këtu për ty.” Mund të mbaj dorën e një njeriu të dashur dhe t’i ofroj ngushëllim e siguri. Mund të ec dorë për dore me nipin tim dhe ta siguroj se është i mbrojtur. Mbajtja e duarve tregon se jemi të bashkuar dhe të lidhur. Ka kaq shumë bukuri në duart tona, dhe ne mund t’i përdorim ato për atë që është e mirë dhe e dobishme për njerëzit përreth nesh.
Në Bibël lexojmë se si Jezusi i përdori duart e Tij për të sjellë shërim dhe ngushëllim për njerëzit që takonte.
“Kur perëndonte dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i sollën tek Ai; dhe Ai vuri duart mbi secilin prej tyre dhe i shëroi” (Luka 4:40).
“Lërini fëmijët të vijnë tek Unë dhe mos i pengoni, sepse e tillë është mbretëria e Zotit.” Dhe Ai i mori në krahë, vuri duart mbi ta dhe i bekoi” (Marku 10:14,16).
Një vepër arti shumë e bukur që më vjen në mendje është “Duart në lutje” e Albrecht Dürer (1508). Ka kaq shumë në art, muzikë dhe krijimtari që ka ardhur nga puna e duarve të dikujt: skulptura, piktura, muzikë, arkitekturë dhe shumë më tepër. Disa artistë krijuan vepra mahnitëse edhe pse puna e tyre ishte e dhimbshme dhe e mundimshme. Mjafton të mendojmë për Mikelanxhelon dhe Kapelën Sistine, apo për “Darkën e Fundit” të Leonardo da Vinçit. Kishte edhe muzikantë si Shopeni dhe Shumani, të cilët luanin dhe shkruanin muzikë edhe kur, për shkak të sëmundjes apo problemeve me duart, ishte shumë e vështirë. Ata pasqyruan bukurinë e dashurisë së Zotit si në art, ashtu edhe në muzikë, siç shihet në shumë prej kryeveprave të tyre. Dhe të mos harrojmë ata që punojnë çdo ditë me duart e tyre duke ndërtuar, krijuar, punuar tokën dhe duke u lodhur me punë të ndershme.
Teksa reflektoj mbi këta artistë dhe dhuntitë e jashtëzakonshme që u janë dhënë, mendimet e mia kthehen te Krijuesi ynë i madh, Ati ynë i dashur. Ai është Artisti që krijoi gjithçka me duart e Tij plot dashuri dhe me fuqinë e Fjalës së Tij. Kur unë dhe bashkëshorti im dalim për shëtitje, ne shijojmë natyrën dhe bukurinë e krijimit të Tij. Mrekullohemi me gjithçka që kanë bërë duart e Tij. E gjithë kjo na është dhënë për ta shijuar dhe për t’u kujdesur për të.
Ja disa vargje nga Bibla që flasin për veprën e Tij:
“Qiejt tregojnë lavdinë e Zotit dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të Tij” (Psalmi 19:1).
“Në dorën e Tij është jeta e çdo qenieje të gjallë dhe fryma e gjithë njerëzimit” (Jobi 12:10).
“Ti e hap dorën Tënde dhe i plotëson dëshirën çdo qenieje të gjallë” (Psalmi 145:16).
Të dish se Zoti po kujdeset për mua dhe se duart e Tij plot dashuri më udhëheqin ka qenë një ngushëllim i madh për mua. Kam përjetuar shumë frikëra në jetën time, si para kontrolleve mjekësore, shqetësime për mirëqenien e fëmijëve tanë të rritur dhe të nipërve e mbesave, shqetësime financiare, e të tjera. Këto frikëra, herë pas here, mund të më mbingarkojnë ose të më sjellin dekurajim. Ndoshta edhe ty të ka ndodhur kështu.
Të mbahem fort pas Zotit dhe Fjalës së Tij në këto situata më ka sjellë ngushëllim dhe paqe. Kam zbuluar se mbajtja e mendjes te ajo që është e mirë dhe pozitive më ndihmon të kapërcej vështirësitë dhe të ruaj guximin dhe shpresën për të vazhduar përpara.
Ja disa vargje që më japin forcë dhe paqe:
“Mos ki frikë, sepse Unë jam me ty; mos u trondit, sepse Unë jam Zoti yt. Unë do të të forcoj, po, do të të ndihmoj, do të të mbaj me dorën Time të djathtë të drejtësisë” (Isaia 41:10).
“Dhe paqja e Zotit, që e tejkalon çdo mendje, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianët 4:7).
Të mësosh t’ia dorëzosh dorën dhe jetën tënde duarve të Tij udhëheqëse dhe plot dashuri më ka sjellë shumë gëzim në zemër dhe paqe në mendje. E di që udhëtimi im këtu në tokë nuk është një rrugë që e bëj vetëm, por Ai është me mua, më mbron, më udhëheq me besnikëri dhe plotëson çdo nevojë timen. Prekja e Tij më ngushëllon dhe më shëron, dora e Tij më ngre dhe më mban, dhe dashuria e Tij e pafund më sjell një gëzim të pamasë. Çfarë shoqëruesi i mrekullueshëm në këtë udhëtim! Ai ka premtuar: “Nuk do të të lë kurrë dhe nuk do të të braktis. Unë jam me ty gjithmonë” (Hebrenjve 13:5; Mateu 28:20).
Shpresoj që këto mendime dhe reflektime të të ndihmojnë të ndihesh i siguruar se je i dashur dhe i mbrojtur në duart e Tij, gjithmonë.
Nëse ende nuk e ke pranuar Jezusin si Shpëtimtarin tënd, mund ta bësh këtë duke u lutur me këtë lutje:
Jezus, besoj se Ti je Biri i Zotit dhe se vdiqe në kryq për mua, që përmes vdekjes dhe ringjalljes Tënde të kem jetë të përjetshme me Ty në qiell. Ta hap derën e zemrës sime. Të lutem, më fal mëkatet e mia. Më mbush me Frymën Tënde të Shenjtë. Udhëhiq jetën time dhe më ndihmo të të ndjek. Në emrin Tënd lutem. Amen.
