Kam një lodër pazëlli paksa të çuditshme, një model 3D me shtatë blloqe në formë gjashtëkëndëshi, secili me gjashtë ngjyra të renditura ndryshe. Vendos një bllok në qendër dhe pastaj përpiqesh të përshtatësh blloqet e tjera me atë të mesit dhe me njëri‑tjetrin.
Për një arsye që ende s’e kuptoj, gjithmonë e kam patur vështirë këtë pazëll. Është shumë e sikletshme ta zgjidhësh kur nuk e di me cilin bllok të nisësh. Ndonjëherë, sapo filloja dhe vendosja dy a tre blloqe, gjithçka ngatërrohej menjëherë. Herë të tjera arrija të vendosja gjashtë blloqet dhe pastaj zbuloja se i fundit nuk përputhej aspak. Përsëri.
Sigurisht që kjo ishte dëshpëruese, por pikërisht kjo e bënte edhe më të ëmbël momentin kur më në fund arrija ta plotësoja. Dukej sikur krejt rastësisht vendosja bllokun e duhur në qendër dhe pastaj rrotulloja e shihja blloqet e tjera derisa i fundit futej në vendin e tij dhe unë mbetesha duke e parë e habitur pazëllin e përfunduar. Fitore!
Ai blloku i parë, ai në mes, ishte çelësi i suksesit. Pasi zgjidhja të duhurin për qendër, të gjitha vendimet e tjera vinin vetvetiu. Kërkonte pak provë e gabim, por rezultati ishte i sigurt.
Tani që e di cili bllok duhet të jetë në qendër, pazëlli nuk është më i vështirë. Madje është fare i lehtë. Vetëm nëse do të harroja se cila pjesë vihet e para, do të ndeshesha sërish me vështirësi.
Besoj se mesazhi është i qartë. Vendimi ynë kryesor, ai mbi të cilin ndërtojmë të gjithë të tjerët, duhet të jetë një vendim i mirë—madje më i miri—nëse duam që edhe vendimet e tjera të shkojnë drejt. Kur vendos Jezusin dhe vullnetin e Tij në qendër të çdo “pazëlli” që më jep jeta, pjesët e tjera fillojnë të gjejnë vendin e tyre më natyrshëm. Po, nganjëherë kërkon pak kohë, pak përpjekje, zbulim dhe këmbëngulje, por përderisa zgjedhja e parë është Ai, gjithçka bashkohet në fund.
Sa herë përballem me përgjegjësinë për të marrë një vendim, nëse e vendos Jezusin dhe Fjalën e Zotit si përparësinë time të parë, atëherë jeta merr drejtim shumë më të qartë. Në fund, gjithçka kthehet te vendosja e gjërave të para në vendin e parë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22,37).
